Thaçi tregoi e kujt ishte ideja e korrigjimit të kufirit me Serbinë

“Ideja ime origjinale është bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës”

Qytetarët e Kosovës janë përgjigjur rreth çështjeve kryesore që lidhen me fazën finale në dialogun Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili që nga vera e vitit të kaluar vazhdimisht po kërkon korrigjim të kufirit me Serbinë ka thënë se idenë e ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova, të përcjellur pastaj nga akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Thaçi ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Luginës me Republikën e Kosovës.

Në tryezën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq ka pyetur presidentin e vendit rreth idesë së korrigjimit të kufirit me Serbinë.

“Ideja e kujt prej juve ka qenë ndarja, ose korrigjim, ose demarkacion të kufirit. A ka qenë ideja u juaj, ose ideja e Vuqiq, ose e ndonjë pale tjetër që emër dhe mbiemër”, ka thënë ai.

Në përgjigjien e tij, Hashim Thaçi ka thënë se fillimisht ideja ishte e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

“Prej presidentit Rugova në vitin ’94, pastaj prej profesorit Nexhat Daci, prej kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri. Ndërsa, sa i përket ndarjes, natyrisht që Serbia ka pretendim ndarjen por po të tregoj cila është ideja ime origjinale. Ideja ime origjinale është bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është ideja ime origjinale, që iu kam bashkangjitë presidentit Rugova, Dacit dhe kryetarit të Gjilanit”, tha ai.

Që nga viti i kaluar, presidenti i Kosovës flet vazhdimisht për idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë dhe mundësinë e bashkimit të Luginës me territorin e Republikës së Kosovës.

Kjo ide është kundërshtuar nga spektri politik në Kosovë, përveç Lutfi Hazirit të LDK-së, i cili publikisht ka deklaruar se Lugina duhet t’i bashkohet Republikës së Kosovës, por që Kosova nuk duhet t’i jap territor Serbisë.

Back to top button