Thaçi: U pajtuam për fazë të re të dialogut që qon në pajtimin e vendeve tona

Presidenti Thaçi u takua me homologun e tij serb si dhe me shefen e diplomacisë europaine Federica Mogherini

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimit me presidentin serb Aleksandër  Vuçiq në Bruksel  tha se ishte konkludim i përbashkët se normalizimi  dhe pajtimi mes  dy vendeve paraqet paqe dhe  stabilitet për të dy vendet,  rajonit dhe të ardhmen evropiane.

Ai në një intervistë për televizionin publik tha se ky do të jetë një proces intensiv dinamik me vizion të qartë dhe afatizime kohore.

“Jemi dakorduar që ky proces të jetë sa më shpejtë, i  finalizuar dhe i implemetueshëm. Jemi dakorduar të ketë fillim të grupeve punuese profesionale,  hedhje të ideve që do të qonte në një fillim të suksesshëm të këtij procesi. Dua të besoj  që ky proces nuk do të jetë garë,  se kush kënd do ta mund. Por proces i standardeve që do të ngadhënjeje për të mirën e dy vendeve tona, i bazuar mbi standardet dhe vlerave evropiane”, tha ai.

Thaçi më tej theksoi se  në takim është theksuar domosdoshmëria e  hapave konkret për Kosovën mbylljen e procesit të izolimit dhe fillimin e procesit të liberalizimit të vizave.

Ndërsa pohoi se për marrëveshjet e reja, duhet të shikohet mundësia e implementimit më të shpejtë dhe se secila palë do të jetë e përgjegjshme,   në mënyrë që mos të ketë ankesa për njëra tjetrën,  por secila t’i kryej obligimet e veta. Ndërsa tha se pala kosovare do të jetë fleksibile dhe e përgjegjshme në respektimin e marrëveshjeve.

“Ky ka qenë takimi i parë për këtë fazë të re për pajtim mes popujve tanë. Është faza fillestare  dhe se  unë kam besim të plotë se institucionet e Kosovës, spektri politik dhe shoqëria civile, do të japin kontributin e çmuar për këtë proces shumë të rëndësishëm.  Vetëm fqinjësia  e mirë dhe pajtimi, janë argumente që pavarësia e Kosovës ka paraqitur paqe dhe stabilitet për rajonin. Të gjithë do të jemi të përgjegjshëm. I ftoj gjithë spektrin politik kosovar,  të reflektojnë për interesat shtetërore mbi çdo interes partiak”, tha ai.

Ndërsa tha se beson që procesi i dialogut do të përmbyllet duke i kuptuar realitetet e krijuara në Kosovë dhe rajon.

“Sot kemi diskutuar vetëm për mundësinë e dakordimit të fillimin e kësaj faze të re. Për përmbajtjen procedurat,  aspektet teknike dhe afatin kohor do të flasim javën e ardhshme. Edhe Kosova, Serbia dhe BE jemi të interesuar që këto gjëra të lëvizin sa më shpejtë,. Sa më tepër fqinjësi të mirë Kosovë-Serbi,  hapet rruga evropiane. Jemi të përkushtuar që të mos humbim energji në Bruksel,  por t’i kthehemi punës në vendet tona për implementimin e këtyre marrëveshjeve”, tha ai.

Ndërsa theksoi se është i vetëdijshëm, se ky nuk është një porces i lehtë dhe populist, por dop të] respektohet kushtetuta dhe ligjet e vendit.

“ Jemi të vetëdijshëm që s’do të jetë proces i  lehtë. Do të jetë me plot ballafaqime, debate. Jo proces  puopulist,  që sjellë duartrokitje. Jam i  vetëdijshëm,  që në këtë proces do të respektohet ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës dhe do të jetë në të mirën e  vendin. Ftohen të gjithë të jemi unik të jemi të bashkuar në këtë proces. Sepse gjithmonë kur kemi qenë të bashkuar si në Rambuje,  kemi shënuar rezultat. Jam i bindur se do të përmbyllet me një finalizim të pranueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe i mbështetur fuqishëm nga BE dhe SHBA. S’kemi rrugë tjetër, duhet ti përshpejtojmë proceset për anëtarësim në NATO dhe BE”, tha ai.

Ndërsa sa i përket formimit të institucioneve të vendit tani pas zgjedhjeve, Thaçi tha se si president do t’i kryej  të gjitha obligimet që ka në përputhje me  ligjet Kushtetutën e vendit si dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës kushtetuese. Si dhe duke respektuar dhe legjitimitetin qytetar.

Back to top button