Gjermania sot shënon 30 vjetorin e bashkimit

Gjermania sot shënon 30 vjetorin e bashkimit

Më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt. Megjithatë, në kujtesën e popullit gjerman më shumë është ngulitur data e 9 nëntorit 1989, kur ra muri i Berlinit, simboli i ndarjes së Gjermanisë dhe i ndarjes së tërë botës në dy blloqe, e që ishte praktikisht edhe fundi i Republikës Demokratike të Gjermanisë.

Në 30 vjetorin e rënies së murit të Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare “Facebook” ka thënë se ndarja e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore ishte plagë e hapur në Evropë, shkruan rtv21.tv.

“Muri i Berlinit u bë simbol ku kufizoheshin bota e demokracisë perëndimore dhe ajo e diktaturës lindore. Rrëzimi i këtij muri 30 vjet më parë, ishte fundi i luftës së ftohtë, rënie e Perdes së Hekurt dhe bashkim i Gjermanisë”, ka shkruar Thaçi.

Sipas presidentit, me rënien e Murit të Berlinit u sprovua epërsia e sistemit demokratik përballë atij komunist.

“Era e lirisë dhe demokracisë u përhap rrufeshëm në Evropën Lindore, por edhe në Ballkan. Bashkimi i Gjermanisë ishte fitorja më e madhe politike paqësore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Urime kombit gjerman!”, ka përfunduar i pari i Kosovës.

Gjermania vuajti ndarjen e saj në dy pjesë, njëra pjesë u kontrollua nga aleanca perëndimore e udhëhequr nga SHBA-të dhe pjesa lindore e Gjermanisë u pushtua nga trupat ruse. Për më shumë se 50 vjet popullit gjerman iu ndalua lëvizja e lirë, ndërsa për ta bërë edhe më të ashpër ndarjen, ish-BRSS ndërtoi murin në Berlin, që e ndante qytetin në mes, i cili u rrënua në nëntor të vitit 1989, për t’ia hapur rrugën bashkimit të vendit./21Media