Thaçi uron Malin e Zi: Miratimi i ligjit forcon multietnicitetin

“Shqiptarët në Mal të Zi me shekuj të tërë e ruajtën identitetin tonë kombëtar”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur miratimin e Ligjit për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare nga Kuvendi i Malit të Zi.
Miratimin e këtij ligji Thaçi e ka quajtur lajm të mirë për të gjitha komunitetet që jetojnë atje.

“Ky vendim e forcon edhe më shumë multietnicitetin dhe ndjesinë e përkatësisë së çdo qytetari në Mal të Zi.
Në çdo shoqëri demokratike është shumë e rëndësishme që asnjë individ apo grup të mos mbetet i margjinalizuar, i harruar apo i përjashtuar prej saj.
Si President i Republikës së Kosovës e uroj Malin e Zi dhe gjithë bashkëkombësit shqiptarë në këtë vend fqinj, të cilët me shekuj të tërë e ruajtën identitetin tonë kombëtar.”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

Ligjvënësit në Mal të Zi kanë votuar dje në të mirë të projektligjit, derisa anëtarët e partisë opozitare Fronti Demokratik kanë tentuar të parandalojnë këtë proces me c’rast janë zhvilluar protesta të dhunshme brenda parlamentit ku është përdorur edhe gazi lotsjellës./21Media

Back to top button