Thaçi: Ushtria do të ketë aleancë me NATO-n

Presidenti foli edhe për marrëveshjen finale me Serbinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas votimit të ushtrisë nga ana e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se ushtria tashmë e formuar do të punojë me gjithë aleatët e shtetit të Kosovës.

Sipas tij, ushtria e Kosovës është një e arritur e të gjithëve.

“Do të punojmë me gjithë aleatët tanë, për ne nuk është me rëndësi numri dhe vendimi. Për ne është me rëndësi aleanca që ushtria e Kosovës e ka dhe do të ketë, e ajo është NATO”, tha ai.

Ndër të tjera, presidenti foli edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, ku tha se me anë të dialogut një herë e përgjithmonë do të largoi këtë të fundit nga Kosova.

“Dialogu Kosovë-Serbi do të sjell marrëveshjen finale, njëherë e përgjithmonë do të largoj Serbinë nga Kosova. Do të sjell njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatën e OKB-së… angazhimi në agjendën tonë shtetërore, që është perspektiva evropiane, euroatlantike dhe e theksoj edhe një herë, domosdoshmëria që të arrihet marrëveshja paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbinë”, u shpreh Thaçi, i cili njëherësh është dhe komandant suprem i ushtrisë.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar në vitin 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit. FSK është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, ndërsa paraprakisht me përfundimin e luftës ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Transformimi i FSK-së në ushtri vjen 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një hap i tillë nuk arriti të realizohet deri më tani për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë. Kështu, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për FSK-në ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së./21Media

Back to top button