Ushtria shënon Ditën e Forcës me emblema të reja

Ushtria shënon Ditën e Forcës me emblema të reja

Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur sot manifestimin për shënimin e `Ditës së Forcës`. Sivjet, njësitë e Forcës u paraqitën me flamuj e emblema të reja, të dekretuara nga presidenti. Kjo është Ditëlindja e parë e FSK-së me mandat të ri ushtarak.

Në manifestimin e Ditës së Forcës, presidenti i Kosovës, që është komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha qe kjo ditë sot nuk ka karakter festiv, meqë vendi është në ditë zie pas goditjes që ka marrë Shqipëria nga tërmetet ku humbën jetën dhjetëra persona e qindra të tjera mbetën të lënduar.  “Kosova dhe bota po solidarizohen në mënyrë të paparë me tragjedinë shqiptare”, ka thënë presidenti. Kreu i shtetit ka shtuar se nga këtu u japim kurajo ushtarëve tanë në Shqipëri, kontingjentit që është pjesë e operacionit humanitar në ndihmë të autoriteteve shqiptare, për të sanuar dëmet dhe për të mbështetur në tejkalimin e situatës. “Jemi bashkë, ashtu siç kemi qenë gjithmonë. Siç kanë qenë edhe breza të tërë para nesh, bashkë në ditë të vështira dhe në ditë të mira, gjithmonë përkrah njëri-tjetrit, gjithmonë bashkë Shqipëria dhe Kosova”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Ditën e Forcës po e shënojmë si Ditë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës, e cila është në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj.

Thaçi ka përsëritur se Republika e Kosovës është e përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë.“Synimi ynë është integrimi në NATO dhe jemi të bindur se paqja e përhershme në Ballkan arrihet vetëm me anëtarësimin e çdo shteti të rajonit tonë në NATO”, ka thënë Thaçi.

Presidenti Thaçi në fund u ka kërkuar ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që të punojnë edhe më shumë, të jenë edhe më të përkushtuar, sepse shumë shpejt do të jeni krah për krah me ushtri të shumta në misione të ndryshme botërore.

“Të jesh në paqe me vetën dhe fqinjët, do të thotë se vlerat tona të traditës dhe lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e prirë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, janë vlera përbërëse të lirisë, por po ashtu edhe vlera që bashkohen me vlerat perëndimore”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  në ceremoninë e shënimit të 27 Nëntorit “Dita e Forcës”, që u mbajt në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari”.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se ditëlindja e parë si ushtri e rregullt është nderi i këtij populli dhe këtij atdheu. Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj shprehu mirënjohje të thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë, duke thënë se falë shpirtit tonë liridashës dhe mbështetjes së botës demokratike, konform idealeve universale të lirisë, sot jemi vet të lirë dhe jetojmë në paqe me të tjerë.

Para njësive të FSK-së, korit diplomatik e atasheve ushatak komandanti i Forcës, Rrahman Rama tha se sot Forca paraqitet me emblema të reja. “Me krenari iu njoftoj që FSK me të gjitha kapacitetet e saj të nivelit operacional taktik ka arritur me sukses të përmbush objektivat e caktuara vjetore. Jam i nderuar të ju njoftoj qe fsk ka arritur të themelojë shtabin e përgjithshëm dhe kapacitetet e Gardës kombëtare. FSK ka realizuar me sukses planin vjetor të rekrutimit, duke rekrutuar 700 ushtarë të rinj. Do të vazhdojmë të jemi të hapur për të gjithë komunitetet. Sot është dita kur promovojnë njësitë e reja me emblema të reja”, tha gjeneral Rama. Rama tha se do t’i qëndrojnë pranë shtetit të Shqipërisë në këto ditë të vështira. Ai tha se Kontigjenti i Task Forcës arriti i pari të dislokojë në zonat e dëmtuara dhe filloi menjëherë operacionin e kërkim shpëtimit. Komandanti i FSK-së tha se varësisht prej nevojave, janë të gatshëm për përkrahje shtesë. /21Media