Pas anulimit të Samitit të Parisit, reagon Thaçi

Pas anulimit të Samitit të Parisit, reagon Thaçi

Pas vendimit për mos-mbajtjen e Samitit të Parisit ka reaguar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimet e nxituara të institucioneve të Kosovës e kanë dëmtuar mbështetjen e o partnerëve ndërkombëtarë për Kosovën.

“Dje dhe sot nga partnerët evropianë u informova se pas përpjekjeve të shumta për sukses, Samiti i Parisit, si vazhdim i atij në Berlin, definitivisht nuk do të mbahet. Ishte planifikuar vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi, i udhëhequr nga BE-ja, me mbështetjen unike dhe të fortë francezo-gjermane.
Vendimet dhe veprimet e nxituara, të pakoordinuara dhe të gabuara strategjikisht të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, kanë dëmtuar rëndë respektin dhe mbështetjen e partnerëve tanë perëndimorë për Kosovën. Si rrjedhojë, partnerët tanë ndërkombëtarë, fatkeqësisht sot e mbajnë Kosovën përgjegjëse për bllokimin e dialogut, për dështimin e takimit të paraparë në Paris dhe për prolongimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.”, ka shkruar Thaçi.

Ai po ashtu i ka bërë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të vazhdojnë përpjekjet për rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi.

“Dështimi i procesit të filluar në Berlin dhe anulimi i Samitit të Parisit, duhet të jetë moment reflektimi për akterët vendorë dhe faktorët ndërkombëtarë udhëheqës dhe mbështetës të procesit të dialogut për normalizim dhe pajtim mes shteteve dhe popujve tanë. Ngërçi në dialog dhe anulimi i Samitit të Parisit për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, shënon hap prapa për të ardhmen evropiane. Prandaj, i bëj thirrje BE-së dhe SHBA-së që të mos i ndalin përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes paqësore.”, ka përfunduar presidenti Thaçi./21Media