Thaçi: Vendimi për ushtrinë është i vonuar, por asesi i gabuar!

“Nëse Kosova ka bërë gabim, është se ka pritur pesë vite pa nevojë për Ushtrinë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë sonte në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se “unë dhe populli im kurrë nuk do të harrojmë se kur po përballeshim me momentet më të rënda për ne, ju u shndërruat në zërin tonë”.

Presidenti Thaçi u ka thënë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara se falë tyre u mësua për dhunën sistematike, spastrimin etnik, pasi mijëra qytetarë të pafajshëm që sot nuk janë më në mesin tonë, mijëra që ende janë të zhdukur, dhe për mbi 20.000 gra që ende jetojnë me dhimbjen dhe stigmën e dhunës seksuale të përjetuar gjatë luftës nga Serbia.

Kurse për formimin e Ushtrisë, tha se është një veprim i vonuar, por jo i gabuar.

“Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë javën e kaluar, ajo që ka ndodhur është një vendim normal, i drejt më mision dhe qellim, nëse Kosova ka bërë gabim, është se ka pritur pesë vite pa nevoje për Ushtrinë. Vendimi për ushtrinë është i vonuar, por assesi i gabuar. Është i vonuar, se kemi pritur vullnet të mira, nga ata që deri më tani nuk treguan për Kosovën”, tha ai dhe pyeti se në cilin dokument bie ndesh formimi i Ushtrisë së Kosovës.

Thaçi tha se rezoluta 1244, i referohet vetëm demobilizimit të UÇK-së, i cili proces është vlerësuar lart nga OKB dhe NATO.

“Më i rëndësishmi është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është marrë me kërkesën dhe iniciativën e shtetit serb, nënvizon qartë se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen  e pavarësisë, dhe rrjedhimisht është e drejtë e pakontestueshme që të ketë ushtrinë e saj”, tha Presidenti Thaçi.

“Si president i vendit dhe si komandant suprem po them troç se Ushtria e Kosovës do të sjell paqe dhe stabilitet”, tha ai dhe shtoi se mbi 10% e ushtarëve janë nga komunitetet jo shumicë dhe është një forcë që do të mbrojë çdo qytetarë të Kosovës.

“Më vie keq që disa qytetarë të Kosovës, pjesëtarë të FSK-së nga minoriteti serb, janë detyruar më forcë dhe dhunë të japin dorëheqje nga FSK. Familjet e tyre janë sulmuar, shtëpitë e tyre janë sulmuar me granata, dhe shumë nga ta janë mbajtur me orë të tera nga policia e Serbisë, kur kanë udhëtuar në Serbi. Kjo është e tmerrshme, sepse shumë nga ta me lot në sy dhe me zemër të thyer e kanë dorëzuar uniformën e tyre”, tha presidenti.

”Kërcënimet e vetme që i vinë rajonit, janë thirrjet që vinë për luftë dhe konflikt nga fqinji jonë verior”, tha ai presidenti dhe shtoi se do të bashkëpunojnë me NATO-n dhe shtoi se Ushtria e Kosovës nuk do të ndërhyjë në misionin e NATO-s, por do të jenë bashkëpunues.

“Populli im edhe tani e sheh NATO-n si shpëtues, pasi ende shumë qytetarë u dhurojnë lule ushtarëve të NATO-s”, tha ai shtoi se populli i Kosovës është populli më pro NATO-s dhe BE-së, pavarësisht padrejtësive që po u bëhen.

“Nga mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL përfiton vetëm krimi dhe terrorizmi, dhe më vie turp të fyejë këtë forum duke përdorur fjalët e zyrtarëve serb të përdorua kundër Kosovës për afatësim në INTERPOL”, tha presidenti i Republikës.

Thaçi shtoi se Kosova është e vendosur për dialog, dhe për këtë Kuvendi i Kosovës e ka miratuar javën e kaluar një rezolutë për dialog.

Back to top button