“Ne jemi gati edhe të vdesim në fushë”

“Ne jemi gati edhe të vdesim në fushë”

Gjatë kualifikimeve për botërorin e kaluar, dukej se Kosova po nënvlerësohej. Edhe pse gjatë atyre kualifikimeve shteti i ri arriti të grumbullojë vetëm një pikë, paraqitja e tyre kundër skuadrave si Kroacia, Islanda, Ukraina dhe Turqia meritonte më shumë respekt. Edhe lojtarët mendonin se meritonin më shumë respekt.

Dhe ata kishin të drejtë. Kosova tani ka 15 ndeshje pa humbje dhe shpreson të arrijë kualifikimin në Euro 2020. Është një prej historive më emocionuese në futbollin ndërkombëtar. Historia e një shteti të vogël i cili e shpalli pavarësinë në vitin 2008, ndërsa tani ka mundësinë e artë që përmes futbollit të krijojë një imazh që do të mbahet mend gjatë.

“Ëndrra vazhdon”, tha kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, teksa kujtoi një ditë me shi, kur pikërisht në mars të 2014-ës ai po qëndronte para gollës, në një pirg balte, ishte ndeshja e parë e Kosovës në kuadër të FIFA-s dhe kapiteni nuk mund t’i mbante lotët.

Të njëjtën ndjenjë gëzimi Samir Ujkani e përjetoi pas dy vjetësh, teksa po priste në korridorin e hotelit dhe mori leje të luajë për Kosovën në ndeshje zyrtare, vetëm disa orë para fillimit të lojës kundër Finlandës, shkruan The Guardian, transmeton rtv21.tv

“Nëse do të arrijmë të kualifikohemi, do të ishte diçka fantastike, por ne jemi një skuadër në rritje dhe qëllimi kryesor është të krijojmë një të ardhme të lumtur për shtetin tonë”, tha ai.

Është pikërisht ky frymëzimi i lojtarëve kosovar, shpresa për të ardhmen.

“Ne jemi gati edhe të vdesim në fushë”, tha sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.

“Ne japim 10000% për këtë fanellë e këtë shtet”, shtoi ai.

Në vendet e tjera një thënie e tillë është vetëm një hiperbolë e përdorur në raste të veçanta, ndërsa në Kosovë është një realitet. Si tha edhe trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, “Lojtarët e Kosovës janë ndryshe nga të tjerët, kanë më shumë pasion”.

Për shkak të luftës që ka ndodhur në Kosovë, çdo kosovar e ka një histori të dhimbshme. Por është pikërisht kjo e kaluar e vrazhdë që i bënë ata të besojnë në një të ardhme të lumtur.

Shumë lojtarë të Kosovës kanë lindur në vende të ndryshme të botës dhe kanë pasur një dyshim se cilën kombëtare ta zgjedhin. Shtetin që i dha mundësi të bëhen futbollistë apo Kosovën, shtetin që kanë në zemër. Falë përkushtimit të FFK-së dhe ish presidentit të saj, Fadil Vokrri, i cili vdiq më 9 qershor të vitit të kaluar, shumë prej këtyre lojtarëve dëgjuan zemrën.

“E rëndësishme është të luajmë futboll dhe të kënaqemi”, tha Ujkani para ndeshjes kundër Anglisë.

“Ne kemi krijuar një skuadër të re, por të talentuar që ngadalë po shndërrohet në një skuadër të kompletuar për të ardhmen”, shtoi ai.

Shumica e lojtarëve që startojnë për Kosovën janë nën moshën 25 vjeçare.

Performanca e jashtëzakonshme e kombëtares së Kosovës në futboll javën e kaluar zgjoi vëmendjen e shumë mediave ndërkombëtare, ku përveç The Guardian edhe BBC i dedikoi një shkrim kombëtares së Kosovës në futboll. Sipas mediumit britanik, meritor i ngritjes së Kosovës është legjenda e futbollist kosovar, Fadil Vokrri./21Media.