Thembrat e çara, për shkaqet, pasojat dhe parandalimin e tyre, tregon Dr. Fatime Kokollari

“Thembrat e plasaritura janë një problem i zakonshëm i këmbëve. Në shumicën e rasteve problemi është thjesht një shqetësim subjektiv i personit, sepse prezantimi vizuel i vetvetes me thembra të plasaritura karshi të tjerëve, nuk është i këndshëm, por kur plasaritjet bëhen çarje të thella, atëherë problemi kalon në serioz.”, kështu ka deklaruar për rtv21.tv Drejtoresha e Klinikës së Dermatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dr. Fatime Kokollari Dr. Sci.
Ajo ka informuar se çdo presion, trysni sado e vogël në thembra, shoqërohet me dhimbje të fuqishme, ndonjëherë edhe me gjakderdhje, kruarje e infeksion.
“Personat kanë vështirësi gjatë qëndrimit në këmbë gjatë ecjes sepse ndjejnë dhimbje. Veçanërisht të gjitha këto shqetësime e shenja janë më të potencuara nëse personat janë me sëmundje kronike. Ky manifestim vjen për shkak të tharjes së lëkurës dhe trashjes së saj.”, ka treguar Dr. Kokollari, e cila ka bërë të ditur se mekanizmi i krijimit të plasaritjeve fillon kur personi qëndron gjatë në këmbë.
Si t'i shëroni thembrat e plasaritura? - KOHA.net
“Në këto rrethana krijohet trysni në thembra të këmbëve. Jastëku mbrojtës dhjamor që ndodhet në lëkurë, nën veprimin e trysnise, çvendoset anash (zgjerohet) sipas ligjeve të biofizikës dhe në momentin kur shtjerrojne mekanizmat mbrojtës kompenzatorë, atëherë shfaqen plasaritjet, të cilat me kohë kalojnë në çarje sipërfaqësore dhe evolojnë në të thella”, ka deklaruar ajo.
Çfarë i shkakton thembrat e plasaritura apo të çara?
Dr. Fatime Kokollari Dr.Sci ka treguar se në shumicën e rasteve, thembrat e plasaritura nuk janë tregues i ndonjë lloj çrregullimi shëndetësore bazik, megjithatë, ato mund të jenë një shenjë e dehidrimit; sëmundjeve të lëkurës; apo sëmundjeve të brendshme sistemike me manifestim edhe në lëkurën e shputave të këmbëve.
Në rastin e parë, kur plasaritjet e çarjet nuk kanë ndonjë arsye bazike të çrregullimit shëndetesor, atëherë, sipas Dr. Kokollari,  shkak mund të jenë shprehitë e disfavorshme për mirëfunksionim të lëkurës së këmbëve.
“Nxehtësia dhe lagështia e krijuar brenda këpucëve, mbathjeve nga shojet me materiale që e provokojnë djersitjen me ç’rast lëkura thahet.
Drejtoresha e Klinikës së Dermatologjisë ka numëruar edhe disa arsye që mund të shkaktojnë thembrat e plasaritura.
Përdorimi i shpeshtë i sapunëve – Disa sapunë mund të heqin vajrat mbrojtës që i ka vetë lëkura. Disa, gjithashtu mund të lënë mbetjet e tyre irrituese që kontribuojnë në tharjen e lëkurës.
Larjet e shpeshta me ujë të nxehtë – Uji i nxehtë gjithashtu kontribon në tharjen e lëkures dhe zhveshjen e saj nga yndyra normale që e tajon vetë lëkura.
Qëndrimi i gjatë e statikë në këmbë, veçanërisht në dysheme të forta
Qëndrimi me mbathje të papërshtatshme që rrisin presionin në thembra (shoje te forta)
Mbathjet e hapura prapa, papuqet ose sandalet që ia mundësojnë jastëkut të shtresës dhjamore të këmbës të zhvendoset prapa dhe anash
Papuqe e sandale pa taka fare
Ecja këmbëzbathur
Moskonsumimi i mjaftueshëm i ujit gjatë ditës
Kequshqyeshmëria dhe dietat gjithashtu mund të jenë shkak i problematikave të përshkruara. Praktikimi i shpeshtë dhe kohëgjatë i tyre çon deri te pamjaftueshmëria e organizmit me vitamina, minerale e acide të larta yndyrore (vitaminës C, B3, vitaminës E, zinkut, omega 3’shit, vitaminës D3,) që kanë për pasojë tharjen e lëkures dhe trashjen.
Mbipesha e krijuar nga konsumimi i tepërt i ushqimit dhe nga ushqime të pasura me kilokalori, mosaktiviteti fizik e stresi i tepruar.
Si t'i shëroni thembrat e çara në mënyrë natyrale? - Telegrafi
Siç ka theksuar Dr. Fatime Kokollari gjatë intervistës për rtv21.tv, ekzistojnë edhe disa statuse fiziologjike, normale me ndikim në plasaritje dhe çarje të thembrave të këmbëve e këtu hyjnë:
Shtatzania me ndryshimet e veta hormonale, raportit të estrogjeve dhe progesteronit
Plakja gjithashtu me ndryshimet e saj hormonal
“Me moshën, ndodhin shumë ndryshime normale në organizëm. Zvogëlohet tajimi dhe funksioni i hormoneve. Gjithsesi, ky zvogëlim çon te ngadalësimi i metabolizmit, i cili reflekton edhe në ngadalësmin e ripërtritjes së qelizave të shtresave lëkurore, shtimin e qelizave të vdekura dhe për pasojë trashjen e lëkurës së këmbëve. Gjithashtu, edhe shtresat yndyrore të lëkurës me moshën zvogëlohen, që shërbejnë ndër të tjera edhe si mbrojtës nga veprimi i goditjeve traumatike dhe presioneve. Shtresa dhjamore është amortizues dhe mbrojtës i qelizave dhe indeve tjera nga lëndimet dhe trysnitë, andaj humbja çon në çarje e plasaritje të thembrave. Pra, me moshën hollohet jastëku dhjamor i lëkurës.”, ka potencuar Dr. Kokollari.
Faktor rrisku e i pandryshueshëm, por me ndikim sipas saj, është edhe predispozita gjenetike.
Ndërsa, në grupin e sëmundjeve të lëkurës që manifestohen me ndryshimet e përshkruara të lëkurës së këmbëve, sipas Dr. Kokollari hyjnë:
Tinea pedis apo mykrat e këmbëve.
Psoriasis – sëmundje e lëkurës me parapëlqim për manifestim në nyje të mëdha, gjunjë, bërryla, pjesën e pasme e të poshtme të kurrizit, kokë, nënsqetull, organe gjenitale, por edhe në shuplaka e shputa të këmbëve.
Dermatitet e kontaktit dhe ato alergjike gjithashtu janë shkak i tharjes së lëkurës, kruarjes, skuqjes dhe trashjes së saj.
Staza venoze apo problemet me qarkullim të gjakut.
Dermatiti atopik (ekzema) është një shkak i zakonshëm i lëkurës së thatë dhe me luspa në këmbë te fëmijët.
Dermatoza plantare juvenile (një gjendje e zakonshme dhe kronike e lëkurës së thatë të këmbëve).
Keratoderma palmoplantare (një grup sëmundjesh të lëkurës të karakterizuara nga trashja e lëkurës në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve).
Në grupin e fundit siç ka bërë të ditur doktoresha, hyjnë sëmundjet e tjera me manifestim primar në organet e brendshme, por që shoqërohen edhe me tharje dhe trashje të lëkurës. Këte grup e përfaqësojnë:
Diabeti apo e njohur ne popull si sëmundja e sheqerit.
Neuropatia diabetike (njerëzit humbin aftësinë për të djersitur)
Sindroma Sjogren (një çrregullim autoimun që shkakton thatësi të lëkurës)
Hipotiroidizmi apo ngadalësimi i funksionit të gjëndrës tiroide
Sëmundjet e veshkave ose perdorimi i ilaçeve që çojnë në zbrazje të ujërave
Limfoma
Syndroma Down
Obeziteti me etilologji hormonale
“Për të diferencuar shkakun e plasaritjes së thembrave dhe bërë trajtim të drejtë dhe efikas duhet gjithsesi vizitë te dermatologu. Mjeku specialist i lëkurës është ai që përcakton shkakun dhe ecurinë e mjekimit.”, ka bërë të ditur Dr. Fatime Kokollari Dr.Sci.
Si t'i shëroni thembrat e çara në mënyrë natyrale? - Telegrafi
Në cilën stinë janë më të theksuara problemet me thembrat e çara?
Dr. Kokollari ka treguatr se problemet me thembrat e çara apo të plasaritura më të theksuara janë në stinën e dimrit. Kjo për shkak të temperaturave të ftohta në ambientin e jashtëm dhe variacioneve që ndodhin pas kthimit në ambiente të ngrohta. Të gjitha këto temperatura sipas doktoreshës, provokojnë djersitje dhe tharje të lëkurës.
Mirëpo, ka theksuar ajo, se nuk duhet lënë anash edhe profesionet e ndryshme (bujqësisë, ndërtimtarisë), e cila veprimtari praktikohet gjatë stinës së verës dhe favorizon djersitjen e këmbëve dhe tharjen e lëkurës.
Thembrat e plasaritura, mosha-gjinia?
“Nëse i përjashtojmë sëmundjet, qoftë të lëkurës apo ato të brendshme (sistemike e autoimmune) me manifestim në lëkurë, që mund t’i përfshijnë të gjitha moshat, plasaritjet dhe çarjet e thembrave të këmbëve përfshijnë kryesisht moshat e shtyra, por edhe mezomoshat. Kjo shpjegohet me çrregullimet hormonale dhe me mbipeshën.”, ka potencuar Dr. Kokollari.
Ajo ka informuar se plasaritjet apo çarjet e thembrave të këmbëve shfaqen te të dy gjinitë, por dominojnë te gjinia femërore.
Cilat janë pasojat e thembrave të plasaritura?
Doktoresha Fatime Kokollari ka treguar se pasojat e thembrave të plasaritura janë nga pakëndshmëria, te gjakosja e deri te pamundësimi i qëndrimit në këmbë, etj.
“Pasojat e thembrave të plasaritura janë pakëndshmëria në të parë nga vetvetja dhe të tjerët, pakëndshmëria në ndjesi duke u nisur nga ngacmime e dhimbje të vogla deri në gjendjet e përkeqësuara me çarje të thella që shoqërohen me dhimbje të mëdha, kruarje, gjakosje dhe infeksione. Përshkallëzimi i kësaj klinike pamundëson qëndrimin në këmbë, ecjen, aktivitetet fizike, ushtrimin e veprimtarive profesionale etj. Si pasojë e gjithë këtyre, ka mungesa të shumta në punë të personave me këto problematika, ndërrimeve të detyrueshme të vendeve të punës, dëmtime shëndetësore dhe buxhetore personale, familjare e shoqërore”, ka deklaruar ajo.
Si t’i shëroni thembrat e çara vetëm me sodë buke
Mjekimi, a mund të parandalohet plasaritja-çarja e thembrave?
Sipas dermatologes, parandalimi i një problematike të përshkruar mund të bëhet duke i evituar për aq sa është e mundur të gjithë faktorët e përmendur paraprakisht:
Mbathjet e papershtatshme, me shoje që provokojne djersitjen
Mbathjet pa pjesen mbështetëse, të pasme të këmbës (papuqe, sandale)
Mbathjet pa taka, me shoje të forta
Qëndrimin e gjatë statik në këmbë mbi dysheme të fortë
Mbipeshën
Duke korirgjuar mosdijen me vetëdijesim se larjet e shpeshta me sapunë janë të dëmshme
Larjet me uje të nxehtë
Neglizhenca e vizitës te dermatologu, i cili është i thirrur për trajtim profesional e cilësor
“Ai do të determinojë aresyen e nje plasaritjeje të tillë, do të diferencojë sëmundjen nga të tjerat dhe do të caktojë diagnozën, shkakun dhe ecurinë e trajtimit.”
Mirepo, siç ka bërë të ditur dermatologia Kokollari, angazhimi në mirëmbajtje të lëkurës së këmbëve nuk është i pavlerë dhe mund të pengojë shfaqjen apo acarimin e një patologjie të tillë: Këto angazhime sipas Dr. Kokollari ngërthejnë:
Zbutjen e kohëpaskohshme të këmbëve në ujë të ngrohtë e sodë buke për rreth 20 minuta. Më pas, gërryejen e shputave e thembrave, me gurë apo limë. Më pastaj, të pasohet me lyerje të këmbëve me vazelinë.
Thembrat e plasaritura - shkaqet dhe trajtimi në shtëpi. Çfarë duhet të bëni nëse thembrat në këmbë thahen dhe plasariten
Lyerja e përditshme me balsam për thembra: Përdorni një balsam për thembra ose hidratues të trashë, dy herë në ditë për të rritur elasticitetin e lëkurës në thembra.
Lyerjet mund të bëhen edhe me kremera me përmbajtje gërryse siç janë: kremerat me acid glikolik, laktik apo urë. Këto acide ndihmojnë largimin e qelizave të vdekura të lëkurës dhe ndihmojnë epidermën (shtresën e jashtme të lëkurës) të mbajë lagështine.
Thembra të çara dhe të thata? Këto janë 4 zgjidhjet më të mira për ju - Kujdesi per trupin
Lanolina: Për zonat e plasaritura të lëkurës. Aaplikojeni lanolinën, e cila vepron si një pengesë efektive për ruajtjen e lagështisë. Lanolinën mund ta blini pa recetë në çdo farmaci.
Kremi ure: Urea është një përbërës natyral antibakterial dhe anti-inflamator dhe shumë hidratues.
Produkte hipoalergjike: Nëse jeni të prirur të reagoni me alergji, sigurohuni që të përdorni produkte me përmbajtje për lëkura të ndjeshme.
Parandalojini infeksionet: Mbajeni gjithmonë të pastërta këmbët, sidomos ruani plasaritjet nga papastërtitë, për të parandaluar rrezikun e infeksionit.
Dieta: Përfshirja e acideve yndyrore esenciale në dietë mund të ndihmojë në hidratimin e këmbëve.
Hidratimi: Qëndroni të hidratuar duke pirë shumë ujë.
Mbrojtja: Vendosni shtojcë silikoni te taka nga brenda mbathjeve që ta mbroni këmbën nga plasaritja dhe lagështia.
Shëroni thembrat e plasaritura në mënyrë natyrale - Klan Kosova
Dr. Fatime Kokollari Dr.Sci ka nënvizuar se nëse plasaritjet dhe çarjet janë të thella, nëse këtyre shqetesimeve iu shtohen dhimbjet, skuqjet, ënjtjet, gjakderdhjet, kruarjet, qelbi, atëherë, këto gjendje e tejkalojnë vetëtrajtimin dhe gjithsesi duhet kërkuar ndihmë dhe trajtim mjekësor.
“Mjekimi nga ana e mjekut specialist përbën caktimin e diagnozës, shkaktarit dhe mjekimit sipas gjendjes aktuale të pacientit, stadeve të përkqësimit të çarjeve në thembra. Gjithmonë, duke u zbatuar protokolli i mjekimit për një patologji të tillë.”, ka shtuar Dr. Kokollari./21Media
Thembra të çara dhe të thata? - Konica.al

Back to top button