Poezi nga Fatmir Muja

Poezi nga Fatmir Muja

Sot u zgjova me dhimbjen e djeshme
Dhe njerëzve u fola me fjalët e nesërme
Më thanë se dashuria është sëmundje
U thashë se nuk dua të gjej ilaç për të

Kam mbet’ si një ishull në botën e liqejve
Kam mbet’ shumë larg teje ja ResulAllah
Njeriu pa ty qenka asgjë në botë
Njeriu me ty qenka e tërë bota

Edhe mos i gjetsha dhimbjes emër
Nuk dua të jem dikush tjetër
Më mirë një dhimbje pa emër
Se një emër pa dhimbje

A mund të mos takohet kurrë loti me syrin?
A mund të mos e ndjej zemra afërsinë tënde,
kur ti flet fjalët që nuk mund të shkruhen
sikur të gjithë lisat të bëhen lapsa e detet të bëhen ngjyrë?!

Eja o Kandil!
Eja e ndriçoje botën!
Eja, se pa nurin tënd,
dita dhe nata për sytë e mi janë njësoj.

Kam mbet’ si në zog në folenë e shthurur
Kam mbet’ shumë larg teje ja ResulAllah
Kur m’shikojnë nga jashtë si fukara më njohin
Se brenda salavatet nuk m’i shohin!

Eja o udhëtar i Rrugës së Drejtë!
Më largo nga Zekumi, më afro nga Tuba
Në baltën e dynjasë shumë zemra u tretën
Humbi njerëzia e veç njerëzit mbetën.

Ti je gjithmonë afër po unë kam mbet’ larg
Kam mbet’ shumë larg teje ja ResulAllah
Sado që je afër unë prapë të them eja
Se tjetër gjuhë s’kam kur larg teje jam.

E nëse nuk do zgjohesha me dhimbjen e djeshme
Kush do t’i kuptonte sot fjalët e nesërme
Kush do të thoshte larg La ilahe il-la Allah
Po të mos ishte afër Muhamedun ResulAllah./21Media