Ti ndez qiellin e gjobat ta fikin xhepin!

Deri në 7 mijë euro gjobë për keqpërdorim me mjetet piroteknike

Jemi në prag të festave të fund të vitit dhe përveç zbukurimit të shesheve të qyteteve, këto festa karakterizohen edhe me përdorimin e mjeteve piroteknike.

Ndonëse gjatë këtyre ditëve po dëgjojmë zhurmat e mjeteve piroteknike përdorimi i tyre nuk është i lejuar deri nga data 26 dhjetor. Këtë e kanë bërë të ditur për portalin rtv21.tv nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës duke shtuar se koha e paraparë për përdorimin e fishekëzjarrëve është e lejuar deri më 2 janar.

E shkelësit e ligjit të përdorimit të mjeteve piroteknike mund të dënohen nga deri në 7000 mijë euro gjobë.

“ Neni 48: Personi juridik për kundërvajtje dënohet me gjobë në shumë prej njëmijë (1000) deri shtatëmijë (7000) Euro nëse shkelet paragrafi 3.15 i këtij neni;”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Por nëse shkelin rregullat gjoba do të ketë edhe për punëtorët. “Neni 49: Punëtorët e organeve të autorizuara dënohen për kundërvajtje me gjobë në shumën prej njëqind(100) deri pesëqind (500) Euro nëse shkelet paragrafi 1.5 i këtij neni; dhe Neni 50: Punëtori i organeve të autorizuara dënohet me gjobë në shumën prej njëqind (100) Euro në vendin e kryerjes së kundërvajtjes, nëse nuk e prezanton licencën me kërkesën e zyrtarit policor.”, bëri të ditur për rtv21.tv MPB.

Masat për mbrojtjen e shëndetit, jetës së njerëzve, pronës dhe mjedisit, merren sipas dispozitave të ligjit për përdorimin civil të eksplozivëve e për përdorim të sigurt të fishekzjarrëve.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme po ashtu treguan se cilat janë llojet e mjeteve piroteknike që do të lejohen të përdoren dhe nga cilave mosha mund të ju shiten në bazë të ligjit. “Kategoria 1: dymbëdhjetë (12) vjet; kategoria 2: gjashtëmbëdhjetë (16) vjet; kategoria 3: tetëmbëdhjetë (18) vjet; kategoria T1 dhe P1: tetëmbëdhjetë (18) vjet ”.”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Në anën tjetër zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani për portalin rtv21.tv bëri të ditur se sivjet ende nuk është raportuar për ndonjë rast të keqpërdorimit të mjeteve piroteknike.

Fishekzjarret, mjetet shpërthyese të cilat vërshojnë në natën e ndërrimit të mot-moteve, apo ditëve më herët importohen në Kosovë nga vendet e tjera. Në vitin e kaluar në Kosovë kanë hyrë 70 ton mjete pirotkenike e sasi e njëjtë deri më tani është edhe në vitin 2019, treguan për portalin rtv 21.tv nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Kompanitë e licencuara për import, transfer, transit, eksport të Eksplozivit dhe Fishekzjarrëve ju lejohet të importojnë në bazë të kushteve dhe kritereve të Deponimit, por nuk do të thotë se nuk ndryshon gjendja e sasisë të Fishekzjarrëve deri në përfundim të vitit 2019 -2020 .”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ndërkohë kujtojmë se nuk janë të rralla lëndimet që marrin qytetarët, veçanërisht fëmijët nga pakujdesia e përdorimit të mjeteve piroteknike, pesë persona janë lënduar në natën e ndërrimit të mot-moteve 2018/2019./21Media

Back to top button