Tifozët anglezë arritën në Kosovë

Tifozët anglezë arritën në Kosovë

Nesër nga ora 18:00 në Stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova e pret Anglinë, në kuadër të xhiros së fundit për Euro 2020.

Një numër i madh i tifozëve anglezë kanë udhëtuar drejt Prishtinës për të ndjekur nga afër ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Anglisë. Atyre iu kanë lënë përshtypje çmimet e ulëta si dhe mikpritja e njerëzve.

Tifozët anglezë përmes rrjeteve sociale kanë treguar se po e shijojnë çdo moment në Prishtinë.

“1.50 euro për një birr, 6 euro për picën më të madhe që kam parë. Kosova është e duhura”, ka thënë Harry Joe.


Ndërsa, Adan Seeley ka thënë që Kosova është ashtu siç e kishte parashikuar, një vend mikëpritës.


“I hëngra tri ushqime dhe rreth 20 birra dhe shpenzova rreth 30 euro, Kosova është vendi më i mirë në botë”, ka thënë Josh Pownall.


Kurse, një tifoz tjetër edhe pse do të vijë në Kosovë ditën e ndeshjes ka thënë që ndihet xheloz që nuk mund të jetë aty më herët.

Por, jo të gjithë kanë pasur një përvojë të mirë, pasi një tifoz është ankuar se nuk ka mundur të siguroj biletën, duke iu referuar Tikss.app si një “shaka absolute”.

Pas humbjes kundër Çekisë, Kosova i ka humbur shanset për kualifikim pasi renditet në vendin e tretë me 11 pikë, katër pikë me pak se Republika çeke. Ndërsa, Anglia tashmë e ka siguruar kualifikimin në evropian./21Media