Veseli kishte fshehur në shtëpinë e tij familjen e një fotografi të njohur

Veseli kishte fshehur në shtëpinë e tij familjen e një fotografi të njohur

Filmi “The Zookeeper’s Wife”, i cili flet për një familje që kishte shpëtuar hebrenjtë në kohën e holokaustit, ka zgjuar vëmendjen e medieve botërore që të zbulojnë edhe heronj të tjerë, të cilët kanë rrezikuar jetën e tyre për ti dalë në ndihmë hebrenjve në kohën e holakustit.

Prestigjiozja TIME, ka spikatë pesë heronj të kësaj periudhe, në mesin e të cilëve edhe fotografin shqiptar Refik Veseli.  Time shkruan se Veseli, atëherë nxënës i fotografisë në vitin 1943, kishte fshehur fotografin profesional Mocshe Mandil dhe familjen e tij, refugjatë hebrenj prej ish Jugosllavisë, ku ai i kishte fshehur këtë familje në një fshat malor të Krujës.

Sipas Fondacionit për të Drejtat Hebreje, familja e Mandil ka qenë në arrati për një kohë, pasi që të njëjtit kishin qenë të burgosur në qytetin e Prishtinës, prej tetorit të vitit 1941 deri në maj të vitit 1942.

Mocshe, i dyti në anën e djathtë, dhe Refik Veselim i dyti në anën e majtë, pas çlirimit të Shqipërisë

Pas kësaj, kjo familje shkoi në Shqipëri, ku u vendosën në Kavajë dhe Tiranë, duke shpresuar se në këtë vend do të jenë të sigurt, ku Mocshe gjeti punë në një studio të fotografisë dhe Veseli ishte nxënës i tij. Mirëpo Gjermania pushtoi edhe Shqipërinë në vitin 1943. Pas kësaj, Mosche bashkë me familjen e tij kanë jetuar në hambarin e familjes së Veselit. Pas çlirimit të Shqipërisë, Mocshe la Krujën dhe hapi një studio të fotografisë në Novi Sad, ku bashkë me familjen hebreje kishte shkuar edhe Refik Veseli për të përfunduar shkollimin e tij mbi fotografinë. Refik Veseli ka vdekur në vitin 2000.