Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor në Evropën Juglindore

Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor në Evropën Juglindore

Në Tiranë janë hapur punimet e Samitit për Paqe të Evropës Juglindore me temën: Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor në Evropën Juglindore.

Në hapjen e samitit u tha se qëllimi kryesor është paqja dhe siguria në rajon. Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu tha se Shqipëria ka një numër të madh të njerëzve që janë ambasadorë të paqes, e që sipas tij kjo tregon se vazhdojnë të jenë mbështetës të nismave për paqe.

“Njerëzit sa më shumë takohen, sa më shumë afrohen, sa më shumë bisedojnë njëri me tjetrin aq më mirë është. Dhe ky është edhe një qëllim i këtij samiti, por më veçantë kujdesi ynë është për rininë e cila është e ardhmja e çdo kombi dhe problematikat e rinisë janë një pjesë e qëllimshme e qëllimit tonë”, tha Moisiu.

Ai tha se qëllimi kryesor është paqja dhe siguria në rajon. Moisiu tha se qëllimi i samitit është që njerëzit të takohen e afrohen sa më shumë.

E diplomati amerikan, dhe ish-ambasador në disa vende të rajonit, Christopher Hill kujtoi vitin 1991 kur ishte për herë të parë në Shqipëri ku tha se atëbotë Shqipëria ishte ndryshe dhe me probleme të shumta, e që sipas tij sot është tjetër situatë në vend.

Ai tha se Shqipëria ka lënë anash disa nga problemet e brendshme dhe ka punuar me të tjerët per të ecur përpara.

“Kjo konferencë është në kohën e duhur, ka shumë gjëra që ndodhin në botë sa i përket problemeve me shtetet, me zemëratën e popujve dhe ka shumë punë që duhet bërë. I them studentëve tanë mos të shqetësohen dhe u them që do të kenë shumë probleme që ne do t’ lëmë që t’i zgjidhni”, tha ambasadori Hill.

Ai tha se duhet kuptuar që do të ketë pengesa e çështje për t’u zgjidhur.

Kujtojmë se ky samit që do të zgjasë deri më datë 27 të këtij muaji, organizohet nga Federata e Paqës Universale, si pjesë e një serie në vazhdim samitesh anembanë botës që mbështesin ndërvarësinë, begatinë e ndërsjellë dhe vlerat universale. Në këtë samit ka pjesëmarrje të gjerë e ambasadorëve të paqes dhe personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.