Rasti i vdekjes së Astrit Deharit

Rasti i vdekjes së Astrit Deharit

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes. Ai vdiq derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Avokati i tij, Tomë Gashi, i ftuar në emisionin “Kojshia Show” që transmetohet në RTV21 ka folur më shumë rreth rastit të Astrit Deharit.

“Asnjë shqiptar nuk ka meritu që 17 vite pas luftës të vdes nga dora e shqiptarit tjetër, d.m.th në Kosovën e lirë”, me këto fjalë avokati filloi emisionin.

Për 78 ditë sa kishte qëndruar i mbyllur, Astrit Dehari nuk ishte marrë asnjëherë në pyetje. Derisa, avokati i rastit të Astritit thotë se trupi i tij ka qenë prova kryesore që ajo ka qenë vrasje dhe jo vetëvrasje.

Në një deklaratë, nëna e tij Xhemile Dehari i kishte treguar se si Astriti dy javë para vdekjes i pati treguar nënës së tij se po e keqtrajtojnë.

“Nëse të thirr dikush prej familjes Makolli, ka qenë gruaja e njeriut të cilit ishte në dhomë Astriti dhe nëse të thirr në orët e vona të natës edhe të thotë që Astriti nuk është mirë, dije që pom qesin jashtë burgut të Prizrenit, këtë e ka thënë zonja Xhemile. Ka qenë i kërcënun dy javë para se të vdesë, të paktën dy javë ma herët i ka tregu nanes të vet”, tha Tomë Gashi.

Avokati i tij ka folur edhe për arsyen se pse sipas tij ata kanë zgjedhur Astritin dhe jo gjashtë të dyshuarit e tjerë.

Astriti sipas tyre ka qenë shënjestra më e lehtë e mundshme për shkak të prejardhjes së tij që janë nga Kumnova dhe për shkak të ngjarjes së mëhershme të Kumanovës ku janë vra 10 ushtarë të UQK-së, do të thotë që kta kanë menu që për këtë arsye mund ta thyejnë dhe të marrin deklarata vet fajësuese nga Astriti”, tha avokati i tij.

Këtë rast, avokati i tij e ka lidhur edhe me rastin e vdekjes së vëllait të tij që sipas tij edhe vdekja e Arbnorit është e çuditshme.

“Pastaj e kanë mendu edhe rastin e vdekjes së vëllait të tij që po ashtu ka qenë e pasqaruar, Arbnori vëllai i tij ka vdek më herët mirëpo për çudi rasti nuk është zbardhur deri më tani, kanë kaluar disa vite dhe hetuesi policor i cili e ka hetu rastin e Arbnorit ka vdekur. Kjo d.m.th se hetuesi i cili e ka hetu rastin e Arbnorit ka vdek dhe një prej personave që ka qenë në dhomë me Astrit Deharin  ka vdek në rrethana të pasqaruar”, tha Tomë Gashi.

Avokati foli edhe për Naser Makollin, shokun e dhomës që Astrit Dehari e kishte nda dhomën me të.

“Familja e Naser Makollit nuk e kanë as raportin e obduksionit të trupit të tij. Është çudi qysh kanë kalu dy vite e gjysmë nga vdekja e tij dhe familja e tij nuk e ka raportin pse ka vdek bashkëshorti respektivisht baba, vëllau sepse edhe ai ka pas familje”, tha Tomë Gashi.

Për fund avokati i tij e fajëson shtetin.

Ka vdekur në duar të shtetit është vrarë në duart e shtetit sepse shteti i monitoron dhe i kontrollon burgjet sepse të gjithë kanë qenë gardian shqiptarë”, tha avokati.

Rasti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në rigjykim, por ende nuk është caktuar data./21Media