Topalli: Shkelje e ligjit me dy këmbë

Topalli: Shkelje e ligjit me dy këmbë

Deputeti i PSD-së Faton Topalli sot në Kuvendin e Kosovës ka paraqitur shifra e fakte, që sipas tij bëjnë shkelje ligjore të të drejtave të punëtorëve të punësuar në sektorin privat.

“Dua të flas për një shkelje ligjore, shkeljen më të madhe që ka filluar me përfundimin e luftës dhe aktualisht ka përfshirë mbi 220 000 qytetar të cilët punojnë në sektorin privat. Nëse këtij numri ia shtojmë edhe 30 deri 40 % të punësuarve ilegal, atëherë kjo shifër do të ishte rreth 300 000 mijë”, tha në fillim të fjalës së vet Topalli.

Sipas tij, ata të cilët kanë kontrata pune ju figuron në kontratë se duhet të punojnë 8 orë, ndërsa punojnë nga 12 orë në ditë, nuk kanë kompensim për orët shtesë, për punën të shtunave dhe të dielave, nuk kompozohen për orët e natës, nuk marrin pushimin vjetor sipas kontratës dhe largohen nga puna pa paralajmërim.

Topalli konstatoi se kjo është shkelje e ligjit me dy këmbë, kjo është fshehje e tatimit, kjo është pasurim me veprime të jashtëligjshme, kjo është diskriminim dhe kjo na kthen në vitin 1886, kur punëtorët e Çikagos demonstrojnë, derdhin gjak me një maj dhe vdesin për implementimin e orarit të punës 8 orë.

“Unë e ngrita sot këtë temë, jo pse është temë e panjohur sepse kjo është një sekret publik të cilin e din Kryeministri, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Prokuroria, Policia, Inspektoriati i Punës, pra e dinë të gjithë”, tha Topalli.

“Nëse një punëtorë punon 6 ditë në javë, nga 12 orë, në ditë që i bie 72 ore në javë, respektivisht 288 orë në muaj, atëherë punëtori që ka rrogën 250 Euro, fiton 86 cent në orë, por nëse ai e ka rrogën minimale prej 170 eurosh në muaj i bie të fitoj 59 cent në orë”, tha deputeti në fjalën e tij.