Trump ka zbuluar fshehtësi shtetërore gjatë vizitës me Llavrovin!

“Washington Post” me akuza në adresë të Presidentit amerikan

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka zbuluar informata të fshehta ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Llavrovit, shkroi e përditshmja amerikane, Washington Post.

Duke cituar zyrtar aktual dhe të dikurshëm amerikanë, gazeta shkroi se Trump me këtë veprim ka rrezikuar burimin e informatave të inteligjencës për Shtetin Islamik, shkruan rtv21.tv

Më tutje u theksua se informata, e cila ju përcoll Llavrovit dhe ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sergej Kisljak, atyre ju përcoll në bazë të marrëveshjes tejet të ndjeshme për shkëmbim të informatave të inteligjencës, përkundër kundërshtimit të një partneri të përfshirë në këtë marrëveshje.

Takimi mes Trumpit dhe Llavrovit nxiti polemika të mëdha, pasi që fillimisht nuk dihej se a do të zhvillohej fare ky takim, e më pas, kur ai megjithatë u zhvillua, takimin u përcoll dhe u mbulua vetëm nga mediat ruse.

Megjithatë, njëri nga partnerët e përfshirë në marrëveshjen e Uashingtonit dhe Moskës për shkëmbim të informatave, nuk i dha leje Uashingtonit që të ndajë informatën me Moskën dhe vendimi i Trumpit që përkundër kësaj t’ia përcjell informatën Llavrovit, paraqet një rrezik për bashkëpunimin në të ardhmen me partnerin në fjalë, i cili ka qasje në qarqet e brendshme të Shtetit Islamik.

Përderisa zbulimi i informatave të fshehta paraqet shkelje për një numër të madh të njerëzve, presidenti amerikan ka kompetenca të gjera për të zbuluar fshehtësitë shtetërore dhe Trump me këtë veprim të tij nuk ka shkelur ligjin, shkroi Washington Post.

Këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, H. R. Mekmaster, i cili mori pjesë në takim, deklaroi se Trump nuk ka zbuluar as burimin, e as metodat, për të cilat opinioni tashmë nuk ka njohuri./21Media

Back to top button