Pacienti me shans të ri për jetë

Pacienti me shans të ri për jetë

Kështu duket transplantimi i zemrës së parë artificiale në Maqedoni. Ndërhyrja e cila ka zgjatur dy orë e gjysmë, i dha shans të ri për jetë pacientit 46 vjeçar nga Shtipi. Zemra e tij ka funksionuar vetëm 15%, ai ka lëvizur dhe ka marrë frymë me vështirësi, kështu që në qoftë se nuk do t’i transplantonin një zemër artificiale, këtij pacienti i kishin mbetur vetëm edhe disa ditë jetë, thanë nga spitali klinik Axhibadem Sistina në Shkup. Tani, me këtë zemër artificiale, ai do të mund të jetojë edhe 6 vjet, ndërsa pas kësaj periudhe do të duhet t’i bëhet edhe një transplantim, megjithatë nga donatori. Ndërhyrja u krye me sukses, ndërsa pacienti është në gjendje stabile, deklaroi Aleksandar Nikoliq, kardiokirurgu i cili e udhëhiqte ndërhyrjen kirurgjike.

“Sot pacienti u çua nga krevati dhe bëri disa hapa. Rezultatet janë shumë të mira. Ne jemi shumë të lumtur që gjendja e pacientit përmirësohet shumë shpejt”, tha kardiokirurgu, Aleksandar Nikoliq.

Zemra mekanike është me të njëjtën madhësi si zemra natyrore dhe peshon 6 kilogram. Funksionon me bateri, të cilën, pacienti pas daljes nga spitali, do ta bartë në një çantë shpine.

“Në përgjithësi në kornizat botërore janë kryer 1800 ndërhyrje të këtilla kirurgjike. Maqedonia hyri në listën e 25 vendeve të botës ku kryhet kjo ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjike, siç janë Amerika, Kanadaja, Franca, Gjermania, Turqia, Britania e Madhe, Italia dhe vende të tjera”, deklaroi drejtoresha e Klinikës Sistina, Jana Marii.

Ndërhyrja e këtillë e parë është bërë në Paris në vitin 2013, ndërsa Maqedonia është vendi i dytë në rajon, pas Beogradit, ku ndërhyrjen e këtillë e ka kryer kirurgu Nikoliq në Institutin për sëmundjet kardiovaskulare./21Media