Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore është festa më e re, ku kujtohen sakrificat e brezave në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore është festa më e re, ku kujtohen sakrificat e brezave në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore është festa më e re që populli ynë feston, si dita kur të gjithë kujtojmë sakrificat e brezave në ruajtje të gjuhës dhe kulturës sonë.

Në kuadër të kësaj dite, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur se në vitin 2018 numri i vizitorëve të trashëgimisë kulturore në 8 muaj u rrit me 59% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

”Ky trend në rritje krahasuar edhe me vitet e mëparshme, dëshmon se turizmi kulturor është një zë i rëndësishëm dhe një atraksion i çmuar që Shqipëria ofron për turistët e huaj”, shprehet ministri Klosi.

Në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i ushtarakëve Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani, të cilët ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apollonisë në vitin 1916 gjatë luftës së I-rë botërore dhe së dyti se zhvillohet paralelisht, në fund të muajit shtator me aktivitetin “Ditën e Trashëgimisë Kulturore”, një aktivitet qe kulmon me fushatën e Këshillit të Evropës “Europa, një trashëgimi e përbashkët”.

Festimet për herë të parë të datës 29 Shtator, si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore kane qene në vitin 2003, në rang kombëtar, ku përfshinë një seri aktivitetesh multikulturore.

Në vitin e dytë të festimeve, në vitin 2004, më 29 shtator krahas festimeve të këtij përvjetori, u hap edhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës me 29 shtator- 5 tetor.

Kjo festë po shndërrohet në një tribunë të ballafaqimit të vlerave të identitetit tonë kulturor kombëtar si dhe në një moment reflektimi dhe konvergimi idesh dhe projektesh në mbështetje të memories dhe trashëgimisë sonë të përbashkët europiane.