Bogdanoviq paralajmëron masa të reja

Bogdanoviq paralajmëron masa të reja

Të pakënaqur nga vendimi i Komunës Qendër për të shtrenjtuar hapësirat e parkimit, qindra tregtarë nga tregu i gjelbër kanë bllokuar rrugën dhe hyrjen e parkingut afër tregut në Shkup. Ata kërkuan që të hiqet tarifa 70 denarë për një orë në parkingun afër tregut për arsye se me këtë tarifë të vendosur atyre u ikin blerësit.

Protestojmë vetëm për shkak të parkingjeve, atë e kanë shtrenjtuar pothuajse 90% nga 40 denarë e kanë bërë 70 denarë. Tani u bëjmë apel, Bogdanoviqit dhe Shilegovit. Kjo nuk është pronë private që të ngrisin çmimin nga 40 në 70 denarë, ne nuk kemi rrogë 100 mijë denarë siç marrin ata. Gjat tërë ditës qëndrojnë të shtrirë dhe marrin nga 100 mijë denarë. Ne kërkojmë vetëm që të kthehet çmimi i vjetër siç ka qenë, 40 denarë”, deklaroi një tregtar.

Asnjë blerës nuk do të hyjë në parking për të blerë diçka. Nëse një marullë kushton 20 denarë, kush do të paguaj 70 denarë për hyrje. E dyta, nuk na lënë që të hyjmë në parking me veturat që ne transportojmë mallra, për atë protestojmë. Kërkojmë nga Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Komunës Qendër” të na dalin në ndihmë që edhe ne të mund të mbijetojmë. Edhe ne jemi njerëz që kërkojmë një copëz bukë e asgjë tjetër”, tha një tjetër tregtar.

Edhe përkundër protestave dhe kërkesave të tregtarëve, kreu i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, thotë se tarifa nuk do të hiqet po edhe paralajmëron masa të reja më rigozore, për shkak se ka ankesa nga banorët lokal se tregtarët po ua zënë parkingun.

Do të ketë kontrolle të shtuara, është parking i mbyllur, do të vendosim rampa shtesë, do të vendosim kamera sigurie, do të ketë kontrolle të shtuara nga ana e shërbimeve komunale po edhe kontrolle të shtuara policore që të sanksionohen të gjithë ata që parkohen në mënyrë të paligjshme apo i shfrytëzojnë hapësirat në mënyrë të parregullt”, tha Bogdanoviq.

Ndërmarrja Publike për Parking Publik, para një jave solli vendim që nga 8 janari çmimi për parking në parkingjet komerciale të rriten për 20 denarë. Ata shpjeguan se qëllimi është të zvogëlohet numri i automjeteve të parkuara në zonën e qytetit dhe të sigurojnë kushte më të mira./TV21