Tregu i veturave me pak blerës, tregtarët fajsojnë shtetin

Sipas tregtarëve ligji i ri po ua pamundëson qytetarëve blerjen e veturave

Tregu i automjeteve në Fushë Kosovës të dielën ishte i mbushur me vetura të llojeve të ndryshme, ku sipas llojit dhe vitit të prodhimit u ishin vënë edhe çmimet, e të cilat arrinin në mijëra euro.

Krahasuar me numrin e madh të automjeteve të ekspozuara për shitje, tregtarët ankoheshin për mungesë të blerësve. E kjo sipas tyre është pasojë e ligjit për regjistrim të veturave, ku sipas tyre pas shitjes nuk i njihet regjistrimi.

Tregtari Istref Mazreku, i cili merret me shitjen e veturave që 25 vite, thotë se ligji i cili u ka ardhur u ka sjellë edhe probleme të shumta, kjo për shkak se qytetarët refuzojnë të blejnë vetura.

“Tash një ligj që na ka ardhur, kurrë nuk ka qenë, nuk po e kuptoj unë kerri ka regjistrim një vit, ta qes ty në emër tanin e bëjmë kontratën e shitblerjes kur ta jap ty kerri nuk ka regjistrim, kjo nuk kuptohet se di çka është kjo farë. Plus kontratën e bëjmë unë e ti të kerrit, kerri kur të shkon në qendër duhet me kanë dy pronarët, se kuptoj hiç këtë farë ligji. Si kemi adresua se nuk po kemi ku, kemi bërë pak zhurmë aty tek qendra e regjistrimit po ata po thonë që Ministria e ka pru ligjin. Problem shumë i madh”, tha ai.

Sipas kësaj, ai thotë se askush nuk dëshiron të blejë vetura, pasi që deri në 400 euro kushton regjistrimi për herë të dytë.

“Shumë problem, nuk blenë kush kerre, dogana e shtrenjtë, kurrë nuk ka qenë kjo kështu. Kerri ka regjistrim një vit kur te shitsh nuk ka regjistrim. Duhet me vazhdua regjistrimin 400 euro kushton një regjistrim me vazhdua për herë të dytë”, tha ai.

Ndërsa, Faton Gashi, po ashtu tregtar, thotë se problem i tyre tash e një kohë është bërë ligji për regjistrim të veturave, ku pas shitjes nuk i njihet regjistrimi.

“Problemi është ky që e kanë bërë që edhe nëse ka 1 vit regjistrim vetura pronari do të thotë, unë ia shes dikujt ata prapë e shtinë me regjistrua edhe një vjet, regjistrimi hup, sigurimi sa t’i kthen një shumë shumë të vogël a këto tjerat prapë duhet me i pagua prapë 140 euro apo ku ta di unë. Kjo po paraqet problem shumë se duhet me shit veturën edhe pse ka një vit regjistrim apët duhet me shit pa regjistrim, se apët duhet me u regjistrua. Nuk donë me ble njerëzit tash me shtua apët, se vetura ka 1 vit regjistrim e apët duhet me regjistrua”, tha ai.

E për tregtarin Gashi, kjo është kryekëput plaçkitje që iu bëhet.

“Kjo është plaçkitje, vjedhje, kush e ka qitë këtë ligj nuk pe di veç mu po ma merr mendja që kjo është plaçkitje, direkt plaçkitje është”, tha ai.

Ndërsa, edhe tregtari Hilmi Bregaj, thotë se po iu paraqet problem, pasi që nuk dëshiron të blej askush vetura.

“Po pengon se hup me argat, argat hup shumë, për dokumente ndoshta është më mirë por hup edhe lekë. Nuk është e mirë se ardhur kjo, nuk është e pritne kjo po u ardh tash na nuk kemi çka me i bë”, tha ai.

E përveç veturave, jashtë tregut përgjatë rrugës shiteshin edhe gjëra ushqimore, tekstil, mobile të ndryshe, e deri tek shpezë të ndryshme.

Back to top button