Mbledhja e sotme e Qeverisë

Mbledhja e sotme e Qeverisë

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar me tri vendime të veçanta nismat për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare me Malin e Zi, Zvicrën dhe Francën, për njohje reciproke të patentë shoferëve.

Kryeministri Ramush Haradinaj në hapje të mbledhjes së  Qeverisë ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet e Kosovës që kanë qenë të angazhuara në riatdhesimin e shtetasve kosovarë nga vatrat e luftës në Siri. Haradinaj ka falënderuar edhe mbështetjen e qeverisë amerikane në realizimin e suksesshëm të këtij operacioni. Kryeministri Haradinaj po ashtu ka vlerësuar se institucionet kanë përmbushur obligimet veta kushtetuese ndaj qytetarëve të vet dhe do të vazhdojnë të trajtojnë me seriozitet risocializimin e të kthyerve në shoqërinë tonë. Haradinaj ka theksuar gjithashtu edhe faktin se Kosova është pjesë e koalicionit ndërkombëtar për luftë kundër terrorizmit dhe do të vazhdojë të japë kontributin e saj në këtë drejtim. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme Udhëzimin Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve. Plotësim ndryshimet e udhëzimit  rregullojnë mundësinë stimuluese të regjistrimit të pronës në emër të dy bashkëshortëve  për të siguruar  pjesëmarrjen e barabartë të gruas dhe burrit në të drejtën e pronës së paluajtshme të përbashkët“, bëhet e ditur në komunikatën e qeverisë.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, kabineti qeveritar ka miratuar edhe nismën për amendamentimin  e Marrëveshjes për themelimin e programit kornizë për bashkëpunim financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Hungarisë.

Në pyetjen e kryeministrit për afatin e përfundimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, kryeministri ka marrë përgjigje nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, se inaugurimi i kësaj rruge është planifikuar të ndodhë më 29 maj, ndërsa për përmbushjen e obligimeve të pagesave nga ministria, është duke u përgatitur raporti i cili do të prezantohet para kabinetit qeveritar shumë shpejt“, bëhet e ditur më tutje në komunikatë.

Ndërsa, me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit është bërë emërimi i zëvendësdrejtorit të shërbimeve operative në Agjencinë e Navigimit Ajror të Kosovës, z.Valimir Hylenaj, për një mandat 5- vjeçar.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar kabinetin qeveritar me gjendjen e vështirë financiare të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Mitrovicë, e cila po shkaktohet kryesisht nga mosrealizimi inkasimit të të hyrave nga Mitrovica e veriut./21Media