Stavileci kishte ushtruar funksione të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore, brenda dhe jashtë fakulteti

Stavileci kishte ushtruar funksione të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore, brenda dhe jashtë fakulteti

Para tri vitesh ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare Esat Stavileci, një nga profesorët më të nderuar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës si dhe një nga akademikët më të respektuar në Kosovë dhe trojet shqiptare.

Stavileci studimet pasuniversitare i kishte përfunduar në Fakultetin juridik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa studimet e së drejtës së krahasuar në Fakultetin ndërkombëtar të Strasburgut në Francë, ku kishte marrë diplomën e studimeve të larta të së drejtës së krahasuar, pasi kishte ndjekur katër semestra universitar në fushën e së drejtës ndërkombëtare në Francë, Itali, Holandë dhe në Venezuelë.

Akademiku Stavileci kishte mbrojtur me sukses doktoraturën në shkenca juridike në Fakultetin juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974.

Ai kishte ushtruar funksione të rëndësishme shoqërore dhe shtetërore, brenda dhe jashtë fakultetit. Ishte prodekan i Fakultetit juridik, drejtor i Entit për Hulumtime juridike, kryeredaktor i revistës shkencore “Përparimi” , kryeredaktor i revistës “E drejta”, drejtor i studimeve pasuniversitare, shef i Katedrës së shkencave juridiko-politike, ndër themeluesit e “Vjetarit” të Shoqatës së Pavarur të Juristëve të Kosovës dhe të revistës së parë juridike në gjuhën angleze te ne.

Përveç se në Fakultetin juridik dhe në Fakultetin filozofik, dega e historisë, ai kishte ligjëruar tema të veçanta edhe në Fakultetin juridik të Tiranës dhe Sofjes, ndërsa ishte angazhuar si profesor edhe në Universitetin e Tetovës.

Është laureat i Shpërblimit të dhjetorit të Kosovës për vitin 1978.  Kishte botuar shumë artikuj, monografi dhe studime.