"Astriti është ylli ynë që nuk shuhet kurrë"

“Astriti është ylli ynë që nuk shuhet kurrë”

Në kryeqytet u mbajt marshi në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit. Familjarët e aktivistit Dehari, kreu i LVV-së, Albin Kurti, avokati Tomë Gashi e emra të tjerë marshuan drejt Prokurorisë së shtetit.

Kreu i VV-së, Albin Kurti në një fjalim para të pranishmëve tha se tri vjet pa Astritin janë shumë, tri vjet pa drejtësinë për Astritin tepër shumë.

“Tri vjet pa Astritin janë shumë, tri vjet pa drejtësi për Astritin tepër shumë. Tepër shumë për Xhemilen dhe Avniun, për gruan Artën dhe vajzën Arsën, motrën Albanën.  Janë tepër shumë për juve, neve, për ty, për mua, për secilin prej nesh. Jemi tronditur të gjithë atë ditë kur e arrestuan Astritin më 29 gusht të vitit 2016, të tronditur kur e akuzonin pa aktakuzë. Jemi tronditur tepër shumë kur na thanë se nuk do ta shohim më, emri i tragjedisë për studentin e mjekësisë dhe aktivistin e lëvizjes”, deklaroi Kurti.

Në fund të fjalimit, Kurti tha “Astriti është ylli ynë që nuk shuhet kurrë!”.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje. Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran./21Media