Sot bëhen 32 vjet nga vdekja e ish-kryeministrit

Sot bëhen 32 vjet nga vdekja e ish-kryeministrit

Periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij në Shqipëri, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politik me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësishtë nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.

Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij.

Shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.

Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

Menjëherë pas vdekjes së Sekretarit të Parë të PPSH Enver Hoxha, lideri pasardhës i tij Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike propozon që në qendër të Tiranës dhe të vendlindjes në Gjirokastër të ngrihet nga një shtatore në nder të tij, Universitetit të Tiranës i vihet emri Enver Hoxha, portit kryesor të Durrësit, e shumë uzina e hidrocentrale morën emrin e tij. Gjithashtu, u krijua Java e Enverit e cila festohej gjithmonë me rastin e ditëlindjes së tij duke punuar me rendimente më të larta për të tejkaluar planin. Monumenti i Hoxhës u përurua në vitin 1988 dhe ishte 8 metra e lartë. Më 20 shkurt 1991 ai u rrëzua nga protestuesit, rrëzimi i tij simbolizonte edhe rënien e komunizmit.