Liverpooli vazhdon kryesimin në tabelë

Liverpooli vazhdon kryesimin në tabelë

Skuadra e Liverpoolit vazhdon serinë e suksesshme të fitoreve në këtë edicion garash, pasi sonte ishte më i mirë se Manchester United me rezultat 2:0.

Derbi i javës 23 të Premier Ligës u karakterizua me një lojë interesante, por ishin të përzgjedhurit e Jurgen Kloppit ata që dominuan në shumicën e kohës.

Liverpooli sonte kaloi në epërsi me golin e Van Dijkut në minutën 14. Në minutën 27, gjyqtari i ndeshjes anuloi golin e Firminhos pasi Van Dijk më herët ndërhyri në mënyrë të palejuar ndaj portierit De Gea.

Edhe një tjetër gol i vendësve u anulua tetë minuta më vonë, pasi që Winajldum ishte në pozitë jashtë loje pas shikimit të sistemit VAR.

Në fund të pjesës së parë Mane pati rast ideal për të shënuar, por De Gea intervenoi për mrekulli, duke mos lejuar të pësojë golin e dytë.

Pjesa e dytë nisi fuqishëm nga vendësit që morën shumë shpejt iniciativën në fushë, duke krijuar raste të njëpasnjëshme për shënim, por Salah nuk arriti të shënojë gol në minutën 48, derisa goditja e Hendersonit u ndal nga shtylla pingule një minutë më vonë.

Manchester United pati rast të mirë shënimi në minutën 67, por goditja e Fredit u dëbua nga portieri i Liveroolit jashtë vijës fundore.

Salah në minutën e tretë të kohë shtesë përfundimisht hoqi dilemat për fituesin, duke shënuar edhe golin e dytë dhe fitoren e 21-të të Liverpoolit në këtë edicion, duka vazhduar kështu kryesimin në tabelë me gjithsej 64 pikë.