Trump fillon turneun evropian

Presidenti amerikan, Donald Trump u nis sot në një udhëtim të rëndësishëm katërditor në Evropë, ku do të takohet me homologët e tij rus dhe kinez, në sfondin e rritjes së tensionit me Korenë e Veriut

Avioni presidencial “Air Force One” u ngrit sot nga baza ajrore ”Andrews”, pranë Uashingtonit, me Donald dhe Melania Trump në bord, raporton AFP.

Presidenti amerikan do të shkojë në Poloni dhe më pas në Gjermani për samitin e tij të parë të G20-tës, ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin kinez, Xi Jinping si dhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Donald Trump do të mbërrijë në Varshavë sonte në mbrëmje, ku do të pritet nga presidenti, Andrzej Duda.

Presidenti amerikan do të mbajë aty një fjalim të rëndësishëm dhe do të marrë pjesë në samitin Iniciativa e tre deteve (Baltik, Adriatik dhe Deti i Zi), që bashkon 12 vende të Evropës Qendrore, anëtarë të Bashkimit Evropian.

Pas Polonisë, Donald Trump do të shkojë në Hamburg, në Gjermani për samitin e G20-tës.

Ai do të takojë për herë të parë Vladimir Putinin, ku do të diskutojnë për Sirinë, Ukrainën, Korenë e Veriut, luftën kundër terrorizmit, por gjithashtu dhe për akuzat për një ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Ai do të takohet gjithashtu me Xi Jinping.

Pak para nisjes, Donald Trump në një mesazh në rrjetin social “Twitter”, akuzoi Kinën për minim të përpjekjeve të SHBA-ve përballë Koresë së Veriut, duke rritur shkëmbimet tregtare me regjimin komunist, që kërkon të testojë raketën e parë balistike ndërkontinentale.

Back to top button