Trump ka thënë se nuk do të lejojë kthimin e saj

Trump ka thënë se nuk do të lejojë kthimin e saj

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se nuk do të lejojë Hoda Muthana, gruan që ka lënë SHBA-në për t’u bërë pjesë e Shtetit Islamik, të rikthehet në vendin e tij.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka njoftuar se e ka urdhëruar Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, që të mos lejojë Muthanan të rikthehet në SHBA.

Pompeo ka njoftuar se 24-vjeçarja nuk ka pasaportë amerikane edhe pse familjarët e Muthana dhe avokati i saj kanë thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe se Hoda është shtetase amerikane.

Muthana, që është rritur në Alabama, kishte udhëtuar drejt Sirisë për t’ju bashkuar IS kur ishte 20-vjeç. Ajo iu kishte thënë familjarëve se po shkonte në Turqi për një aktivitet shkollor.

Në një rast të ngjashëm gjendet edhe Britania e Madhe. Adoleshentja Shamima Begum, që është bërë edhe nënë, kërkon të rikthehet, duke ngjallur debat nëse duhet të lejohet apo jo kthimi saj në vendin ishullor.