Trump: BE-ja të heq pengesat tregtare për prodhimet amerikane

“Lufta tregtare” Uashington-Bruksel

Presidenti amerikan, Donald Trump, kërkoi sërish nga Bashkimi Evropian që të eliminoi pengesat tregtare për prodhimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse dëshiron ti shmanget tarifave të reja doganore për çelik dhe alumin.

“Bashkimi Evropian, shtetet e mrekullueshme anëtare të së cilit po e trajtojnë keq Amerikën në fushën e tregtisë, po ankohen për shkak të tarifave të reja doganore. Nëse heqin dorë nga pengesat e tmerrshme dhe doganat për prodhimet amerikane, atëherë edhe ne do të heqim dorë nga tonat. Nëse kjo nuk ndodh, do të pasojnë doganat për automjete dhe prodhime tjera”, shkroi Trump në Twitter.

Trump këtë koment e bëri pas takimit të Komisares evropiane për tregti, Sesilia Mallstrëm, me përfaqësuesin amerikan për tregti, Robert Llajtizer. Takimi u zhvillua në Bruksel me qëllim të zbutjes së tendosjeve tregtare dhe të shmangies së luftës tregtare.

Mallstrëm nënvizoi se Uashingtoni nuk ka shpjeguar me qartësi se si mund të kursehen Evropa dhe Japonia nga doganat dhe se bisedat do të vazhdojnë.

Takimet mes përfaqësuesve tregtarë të Evropës dhe Amerikës janë planifikuar më herët, por ato u bënë më të rëndësishme, pas paralajmërimit të Trumpit se do të vendos doganë prej 25 për qind për importin e çelikut dhe 10 për qind për alumin.

Ndërkohë, gjatë një tubimi në Pensilvani, Trump tha se duhet të rikthehet dënimi me vdekje për trafikuesit e drogës.

Sipas tij, kjo ide duhet të shqyrtohet, ngase trafikuesit e drogës janë përgjegjës për vdekjen e mijëra njerëzve./21Media

Back to top button