Trump lavdëron Grenellin për bisedimet Kosovë – Serbi

Trump tha se do të emërojë një ambasador të ri në Gjermani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se i dërguari i tij për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka bërë një punë fantastike dhe se do të vazhdojë të jetë i dërguar për dialogun.

Trump tha të dielën, se do të emërojë një ambasador të ri në Gjermani.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, presidenti e konfirmoi se Ambasadori Grenell do të vazhdojë të shërbejë si i dërguar i posaçëm për bisedimet Kosovë Serbi.

“Do të emëroj një ambasador të ri në Gjermani. Ambasadori [Grenell] do të vazhdojë [si i dërguar për Kosovën dhe Serbinë] pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë. Të gjithë thonin se ishte një marrëveshje e paarritshme, por ai e realizoi. Ishte dicka shumë pozitive për këto të dyja vende”, tha presidenti duke iu referuar marrëveshjes së fundit për rihapjen e transportit hekurudhor e rrugor Kosovë-Serbi.

Trump e emëroi të mërkurën e kaluar Ambasadorin Richard Grenell si kreun e përkohshëm të zbulimit kombëtar, ndërsa është duke kërkuar për një kandidaturë për drejtor të përhershëm.

Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për vizitën e tij në Indi./Voa

Back to top button