Trump lëshon planin e shumëpritur të paqes në Lindjen e Mesme

Trump prezanton “një zgjidhje të dy shteteve”

Presidenti amerikan, Donald Trump ka paraqitur planin e tij të shumëpritur të paqes në Lindjen e Mesme, duke premtuar se do ta mbajë Jeruzalemin si kryeqytetin e pandarë të Izraelit.

Ai propozoi atë që ai e quajti një zgjidhje “realiste” të dy shteteve dhe tha që asnjë izraelit apo palestinez nuk do të largohen nga shtëpitë e tyre, transmeton 21Media.

Duke qëndruar përkrah kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se plani i tij “mund të jetë mundësia e fundit për palestinezët”.  Trump shtoi se ky është “ një hap i madh në rrugën e paqes”.

Palestinezët tanimë i kanë refuzuar të gjitha propozimet e dala.

I quajtur nga disa si “marrëveshje e shekullit”, plani synon të zgjidhë një nga konfliktet më të gjatë në botë.

Izraeli ka falënderuar SHBA-në për propozimet e tij, por palestinezët e hodhën poshtë atë paraprakisht, duke e quajtur të njëanshëm.

Kryeministri izrealit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ndihet i bekuar që ka mbështjen e SHBA-ve “Zoti bekoftë Amerikën, e bekoftë edhe Izraelin, Zoti i bekoftë të gjithë”.

Mijëra palestinezë protestuan në Rripin e Gazës më parë të Martën, ndërsa ushtria izraelite vendosi forcime në Bregun Perëndimor të okupuar./21Media

Back to top button