Kina është "tronditur" nga veprimet e SHBA-së

Kina është “tronditur” nga veprimet e SHBA-së

Shtetet e Bashkuara kanë rritur luftën tregtare me Kinën, duke listuar produkte shtesë në vlerë të 200 miliardë dollarëve, të cilave planifikon t’iu vendosë tarifa deri në muajin shtator.

Ky hap ka ardhur disa ditë pasi të dyja shtetet kanë vendosur tarifa reciproke në vlerë të 34 miliardë dollarëve në mallrat e njëra-tjetrës.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar edhe më herët me vendosje të tarifave shtesë në rast të hakmarrjes nga Kina.

Në listë janë vendosur më shumë se 6 mijë artikuj, duke përfshirë produkte ushqimore, minerale dhe çanta.

Publiku do të ketë kohë për të komentuar listën para aplikimit të tarifave të reja 10 përqind.

Tregjet aziatike të aksioneve kanë rënë ndjeshëm, si pasojë e përshkallëzimit të tensioneve në mes të dy gjigantëve ekonomikë.

Shtëpia e Bardhë pati deklaruar se tarifat janë përgjigjje ndaj praktikave të padrejta tregtare të Kinës në SHBA.