Trump nuk shkon në Londër
12 Janar 2018
Anulohet vizita
Anulohet vizita
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka anuluar vizitën e tij në Mbretërinë e Bashkuar, të planifikuar për muajin shkurt, duke i dhënë kështu një ndihmë jo të vogël qeverisë së Theresa May, që përballej me kundërshtime të mëdha për këtë nga publiku i gjerë.
Sidoqoftë, arsyeja zyrtare e anulimit të vizitës, si zakonisht e publikuar nga presidenti në “Twitter”, nuk kishte të bënte aspak me faktin që britanikët nuk e duan Trumpin atje.
Një nga qëllimet e vizitës në Britani ishte inaugurimi i ambasadës së re amerikane në Londër dhe pritej që Trump të priste shiritin e ndërtesës prej 1 miliard dollarësh.
Por presidenti amerikan prej kohësh e ka cilësuar ambasadën e re, të porositur nga paraardhësi i tij Barack Obama si një pazar të keq. Në komentin e tij në “Twitter” Trump thotë se ambasada e vjetër u shit lirë, e reja është në vendin e gabuar dhe ai nuk do të shkojë të presë shiritin.
Londra nuk komentoi anulimin e vizitës, ndërsa mediat thonë se ajo po negociohet për në fund të vitit. Minimalisht qeveria britanike ka lëshuar një psherëtimë lehtësimi nga anulimi i vizitës, pas raporteve për protesta masive që priteshin në një rast të tillë.
Mediat amerikane mendojnë se pikërisht protestat e pritshme janë arsyeja e anulimit të vizitës, megjithëse zyrtarisht këtë nuk e pranon askush./21Media