Turizmi kosovar prezantohet në Tiranë

Ngjarja më e rëndësishme turistike në rajon

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në  Kosovë  (KIESA), po merr pjesë në “Panairin Mesdhetar të Turizmit – Tirana 2017”,  i cili do të  jetë  i hapur për dy ditë  rresht, me 8 dhe 9 prill, në ExpoCity në  Tiranë, ka bërë të ditur kjo ministri nëpërmjet një komunikate.

Sipas tyre, Panairi Mesdhetar i Turizmit në Tiranë është një mundësi e shkëlqyer të cilën KIESA po e shfrytëzon për t’i njoftuar operatorët e huaj turistik dhe pjesëmarrësit e interesuar me mundësitë e shumta që Kosova ofron në fushat e eko-turizmit, trashëgimisë kulturore, turizmit dimëror, vizitave të qyteteve dhe paketave tjera të ndryshme turistike.

Ky panair është një nga ngjarjet më të rëndësishme turistike të rajonit dhe qëllimi kryesor i tij është promovimi i destinacioneve turistike nëpërmjet prezantimeve, konferencave dhe aktiviteteve B2B, si dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet pjesëmarrësve.

Panairi Mesdhetar i Turizmit- Tirana 2017 mbulon gjashtë fushat kryesore të turizmit siç janë Akomodimi,  Agjencitë Turistike, Turizmi Detar, Turizmi Malor dhe Gastronominë.

MTI ka bërë të ditur se krahas Kosovës, në këtë panair po marrin pjesë edhe shtetet si:  Shqipëria, Kroacia, Greqia, Turqia, Italia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Franca, Spanja, Gjermania, Zvicra dhe Austria

Panairi është organizuar për herë  të  parë  në  Shqipëri nga Expocity Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë./21Media

Back to top button