Turizmi shqiptar vazhdon të mbahet nga qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri 854 milionë euro

Qytetarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut po preferojnë gjithmonë e më shumë të pushojnë përgjatë bregdetit shqiptar.

Sipas të dhënave të INSTAT, rezulton se gjatë muajit gusht në Shqipëri hynë 100 mijë kosovarë më shumë nëse e krahasojmë me një vit më parë si dhe mbi 23 mijë shtetas maqedonas më shumë.

Por, kjo verë solli braktisje të bregdetit shqiptar nga turistët polakë, pas një fluksi të tyre vitin e kaluar.

Vetëm në një muaj në Shqipëri shkuan 20 % më pak turistë nga Polonia, fakt ky që lidhet me rritjen e çmimeve të shërbimeve që ofrohen në Shqipëri.

Ndërsa, lajm pozitiv është fakti që u rrit numri i turistëve që shkuan në Shqipëri nga Zvicra dhe Spanja. Ndërkohë, në total numri i vizitorëve për 8-mujorin arriti në  rreth 4.9 milionë ose 11% më shumë nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkaq, vetëm gjatë muajit gusht, që shënon edhe pikun e sezonit turistik, numërohen të kenë hyrë më shumë se 1.5 mln turistë të huaj.

Në pjesën e parë të vitit sipas Bankës së Shqipërisë, turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri 854 milionë euro. Rritje të ndjeshme të numrit pati edhe tek shqiptarët që preferuan të pushojnë jashtë vendit kryesisht në Turqi apo Greqi.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë që dolën nga territori i Shqipërisë përgjatë tetë muajve të 2019 është 3.8 mln, duke u rritur me 9,8 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporton oranews.

Back to top button