Turqia dhuron donacion për vajzat e dëshmorëve dhe familje të varfra

Donacion simbolik për 40 vajza

Në Ministrinë e Diasporës, ministri Valon Murati, me përfaqësues të tjerë priti një delegacion të asamblesteve të Kuvendit Komunal të Kuçukçekmece së Stambollit.

Qëllimi i kësaj vizite ishte një donacion simbolik, konkretisht një aksion humanitar që gratë turke kishin ndërmarrë për vajzat e dëshmorëve, të veteranëve  të luftës dhe të  familjeve të varfra.

Me këtë rast, ato kishin përgatitur 40 dhurata me gjëra të ndryshme për vajza, të cilat ishin të pranishme në këtë ceremoni.

Murati falënderoi asambleistet nga Turqia për këtë donacion.

“Është kënaqësi që po e vazhdojmë bashkëpunimin me komunën e Kuçukçekmece edhe në këtë formë, përmes këtij donacioni, të cilin gratë asambleiste të kësaj komune kanë dashur ta bëjnë për këto vajza. Përmes këtij bashkëpunimi, dëshirojmë ta thellojmë edhe bashkëpunimin me Turqinë, e cila  është një partner i rëndësishëm për Kosovën”, tha Murati.

Ambasadorja turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, tha se është e kënaqur që është e pranishme në këtë aktivitet humanitar . Ajo theksoi se ky aktivitet po realizohet përmes bashkëpunimit me komunën e Kuçukçekmece, në të cilën jeton një numër i madh i shqiptarëve. “Uroj që projekte të tilla të realizohen edhe në të ardhmen”, theksoi Kiliç.

Takimi përfundoi me shpërndarjen e dhuratave, dedikuar vajzave të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të varfra./21Media

 

Back to top button