Tusk në Shkup në takim me Ivanovin

Kryetari i Këshillit të Evropës, për herë të tretë në Maqedoni

Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk nesër do ta vizitojë Maqedoninë. Ai në Shkup do të ketë takim me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov në të cilin, sipas paralajmërimeve, do të bisedojë për krizën e migrantëve, rolin e Maqedonisë në përballjen me të, si dhe për situatën politike në Maqedoni.

Presidenti Ivanov, siç informon kabineti i tij, përveç për gjendjet aktuale me krizën e migrantëve dhe të refugjatëve, rolin e Maqedonisë dhe situatat në rajon, do ta njoftojë Tuskun edhe me situatën politike në vend, ndërsa do të bisedohet edhe për perspektivën evropiane të rajonit.

Vizita në Maqedoni e njeriut të parë të BE-së realizohet në prag të paralajmërimeve gjithnjë e më të shpeshta nga fluksi i ri i refugjatëve, si dhe në kontekst të tensioneve gjithnjë e më të fuqishme midis BE-së dhe Turqisë për ndërprerjen e marrëveshjes për migrantët. Paralajmërimet nga ana e presidentit turk Erdogan për ndërprerjen e pranimit të migrantëve, paraqet kërëcënim të madh për Evropën, para së gjithash për shtetet ballkanike, që është arsye për alarmim të Bashkimit Evropian.

Kjo është vizita e tretë për dy vjet e Tusk në Republikën e Maqedonisë. Në takimin e fundit në mars të vitit 2016, Tusk dhe presidenti Ivanov diskutuan për arritjen e zgjidhjes së përbashkët evropiane për krizën e refugjatëve dhe të migrantëve. Në takimin e atëhershëm, Ivanov paralajmëroi për migrimin e paligjshëm dhe hyrjen e dhunshme në Maqedoni dhe ishte i drejtpërdrejtë se Republika e Maqedonisë nuk do të lejojë rritje të rreziqeve të sigurisë nga kriza e migrantëve. Presidenti i Maqedonisë atëherë porositi se Maqedonia do t’i ndërmarrë të gjitha aktivitetet për mbrojtjen e kufijve shtetërorë dhe për ruajtjen e sigurisë nacionale./21Media

Back to top button