U arrestua i dyshuari që kërcënoi prokuroren Hajdari

Nuk është bërë i ditur identiteti i të arrestuarit

Policia e Kosovës ka arrestuar sonte një të dyshuar, i cili dyshohet se kërcënoi prokuroren Drita Hajdari.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka bërë të ditur se një i dyshuar është arrestuar pas raportimit të një rasti për kërcenim.

“Mund të konfirmojmë se e njëjta sot është paraqitur në stacion policor, për ta raportuar një rast, për të cilin është intervistuar. Rasti do të trajtohet nga njësitet relevante policore, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente”, ka deklaruar për kp Kelani.

Ai ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluar, është arrestuar një i dyshuar, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i të arrestuarit.

“Lidhur me rastin në fjalë, pas hetimeve intensive dhe veprimeve policore, është arrestuar një person i dyshuar. Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente është duke vazhduar procedurat e mëtejme ligjore”, ka njoftuar Kelani.

Prokurorja Hajdari ka njoftuar gjatë ditës së sotme se ka marrë kërcënime me jetë përmes mesazheve në Facebook.

Lidhur me rastin, ka reaguar Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët i kanë ofruar përkrahje prokurores Hajdari.

Back to top button