Krasniqi ka thënë se ministria është e përkushtuar që të fuqizojë ndërmarrjet e vogëla dhe të mesme

Krasniqi ka thënë se ministria është e përkushtuar që të fuqizojë ndërmarrjet e vogëla dhe të mesme

Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka organizuar panairin “Gratë në Biznes dhe artizanate tradicionale”, që është hapur sot dhe i cili do të ofrojë produkte të ndryshme vendore nga Gjilani dhe rrethina për tri ditë me radhë.

Nga të pranishmit panairi është vlerësuar si mbështetje për komunitetin e grave afariste dhe punën që ato bëjnë në vazhdimësi.

Në fjalën e saj para qytetarëve të pranishëm dhe grave biznesmene ka folur kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila ka falënderuar ministrinë për mbështetjen në organizimin e panairit duke potencuar se ky është një sinjal që Komuna e Gjilanit dhe institucionet qeveritare, po mundohet të fuqizojnë gruan biznesmene.

“Komuna e Gjilanit në vazhdimësi është e angazhuar që të promovoj dhe mbështes bizneset të cilat udhëheqen nga gratë, në mënyrë që ato të jenë të qëndrueshme dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Gjithmonë do të jemi afër bizneseve në përgjithësi, e në veçanti afër bizneseve të cilat janë të themeluara nga gratë dhe që udhëhiqen nga ato”, ka thënë kryesuesja Kurteshi-Emini, bëhet e ditur në komunikatën e komunës së Gjilanit.

Kurse, zëvendësministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arbresha Krasniqi ka thënë se ministria është e përkushtuar që të fuqizojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sepse vetëm kështu sipas saj ndikohet në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në sektorin privat.

“Ministria është e përkushtuar në zhvillimin e bizneseve të vogëla dhe të mesme, për të ndikuar në zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, por edhe në ngritjen e numrit të të punësuarve në këtë sektor. Është punë shumë e mundimshme për gratë në biznes dhe kërkon shumë mund dhe energji, por aty ku është gruaja, sigurisht nuk do të mungon edhe suksesi”, ka thënë ajo në hapje të panairit.

Për ndryshe, Komuna e Gjilanit në vazhdimësi në bazë të programit për zhvillim ekonomik lokal ka marrë masa të krijimit të lehtësirave për sektorin privat dhe në rrafshin e organizimit të panaireve për sketorin privat, Gjilanit në mënyrë të vazhdueshme organizon panairin e produkteve bujqësore, prodhimeve vendore, pastaj panairin regjional, panairin ndërshtetror, ku përpos prodhuesve nga e gjithë Kosova kanë marrë pjesë edhe prodhuesit nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe shtete të tjera./21Media