‘U lanë anash nga institucionet e ato po vdesin’

Edhe pse u miratua ligji në Kuvend ende nuk ka filluar të zbatohet

Viktimat e dhunës seksuale ende mbesin në pritje të marrjes së pensionit edhe kaq vite pas përfundimit të luftës. Megjithëse ligji për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat e dhunës seksuale të luftës, u miratua në Kuvendin e Kosovës, tri vite më parë, ende nuk ka filluar të zbatohet, sa i përket viktimave të dhunës seksuale.

Ligji i cili për herë të parë pas kaq vitesh, ka njohur statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë, është dashur të përcillet edhe me hapin konkret për krijimin e Komisionit Qeveritar, që do të përkujdesej për këtë kategori, por ky komision ende nuk është funksionalizuar dhe kjo ka ngjallur reagime të shoqatave dhe shoqërisë civile.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti ka thënë se ka ngecje në këtë proces dhe se procesi është zvarritur, siç u është thënë për shkak të statistikave të ndryshme.

Ajo thotë se megjithëse flitet për mbi 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës, numri i atyre që do t’i qasen këtij komisioni, është dukshëm më i vogël dhe se nuk do të krijojë probleme buxhetore.
“Ne mendojmë se edhe në këtë komision nuk do të jetë numër më i madh se 500 ose 1 mijë veta. Pra nuk do të ketë asi far lloj frike që kjo kategori e luftës do ta marrë një buxhet shumë të madh, që buxheti i Kosovës mos të arrijë ta përballojë. Deri më tani këtu ka qenë një lloj dileme se si me i trajtu, qysh me rialoku buxhetin. Po ashtu kemi pasur takime me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zotin Abrashi, i cili është zbatues i këtij ligji. Ka pasur edhe takime direkte me vet të mbijetuarit e dhunës seksuale, ku ka premtuar që në vitin e kaluar, që fillimi i këtij viti veç do të jetë në funksion të tyre me krijimin e këtij komisioni, por deri më tani nuk kemi ndonjë lëvizje pozitive ose një kohë të caktuar për krijimin dhe funksionalizimin e komisionit të sekretariatit dhe pastaj rialokimin e buxhetit për pensionin personal për viktimat e dhunës seksuale”, tha ajo.

Rushiti thotë se institucionet kanë lënë anash këtë kategori kaq të ndjeshme dhe se buxheti mbetet pengesë. Ajo thotë se vonimi i mëtutjeshëm i këtij procesi do t’i frustrojë dhe tensionojë gratë viktima të dhunës seksuale. Sipas saj të lanë anash nga institucionet, ato po vdesin.

Por, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi pohon se tashmë janë në hapat final për funksionalizimin e komisionit. Ndërsa, thotë se buxheti nuk është pengesë por janë disa çështje procedurale, nëpër të cilat duhet të kalojnë.

“Jemi në hapat final. Realisht ministria së bashku me institucionet tjera përkatëse që kanë qenë në panel të intervistimit të komisionit, ka dorëzuar emrat e aplikuesve të suksesshëm pranë Qeverisë së Kosovës, dhe ne presim që në një prej mbledhjeve të ardhshme të jetë në rend dite dhe të funksionalizohet si i tillë. Çështja e fundit për sa kam parë pyetjet dhe përgjigjet nga sekretariati i Qeverisë është sepse është mbetur të diskutohet, sa do të jetë pagesa, ose vlera e kompenzimit të anëtarëve të këtij komisioni, që është një çështje shumë teknike dhe nuk ka ndikim të madh buxhetor. Pra ne presim që në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë, komisioni të funksionalizohet dhe pas këtij funksionalizimi t’i presim dhe aplikacionet për viktimat… Pra prej se e kemi marrë mandatin, ne kemi punuar si ministri që të funksionalizojmë këtë komision, janë çështje procedurale nëpër të cilat duhet të kalojmë” , tha Abrashi.

Ndryshe, ligji për vlerat e luftës që i trajton dhe kategoritë tjera të luftës, është amandamentuar në mars të vitit 2014.

Back to top button