Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të përfitojnë deri në 50 mijë euro

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të përfitojnë deri në 50 mijë euro

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ-i gjerman, lansuan sot edicionin e dytë të Fondit të Inovacionit, pjesë e Projektit CETEP, i cili implementohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK). Nëpërmjet këtij fondi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund përfitojnë deri në 50 mijë euro.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit ofron përkrahje të drejtpërdrejtë dhe më të madhe për sektorin privat. Sipas tij, krahas ndihmës financiare, duhet të ndërtohen edhe mekanizma për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm.

“Ne dhe GIZ-i, kemi ndërtuar një partneritet strategjik, pasi që kemi vizionin dhe besimin e njëjtë, se vendi jonë ka potencial për avancim të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit dhe TIK-ut”, tha ministri Beqaj.

Ai tha se qëllimi i Fondit të Inovacionit është zhvillimi i kompanive dhe përkrahja e eksporteve.

“Ky është edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit, vitin e kaluar kemi financuar, bazuar në ekspertizën e pavarur të vlerësimit, pesë kompani të suksesshme, tek të cilat kemi arritur të ndikojmë drejtpërdrejtë në promovimin e tyre në tregjet ndërkombëtare”, tha Beqaj.

Sipas tij, ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do t’i mbulojë rreziqet nga investimet e ideve të ndërmarrësve të rinj.

“E rëndësishme është që të mos dorëzoheni në planet tuaja për të krijuar vende pune, për të prodhuar, për të përmirësuar shërbimet, për të eksportuar. Nxitja e shpirtit ndërmarrës, na ndihmon shumë në arritjen e objektivave dhe përballje me sfidat nëpër të cilat po kalon e gjithë bota”, theksoi ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Ndryshe, Fondi i Inovacionit është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarërsisë dhe GIZ-it, nëpërmjet Projektit CETEP i cili implementohet nga ICK-ja./21Media