Blushi ka qenë një ndër personalitet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual

Loading...

Blushi ka qenë një ndër personalitet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual

Është ndarë nga jeta mbrëmjen e së premtes në moshën 75-vjeçare shkrimtari dhe skenaristi i njohur, Kiço Blushi.

Kiço Blushi ka lindur në qytetin e Korçës në 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse kishte filluar punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kishte kaluar si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Ai ishte shkrimtar protagonist i brezit të ndryshimit modernizues në letërsinë shqipe, prozator përfaqësues dhe skenarist me rol të shquar në historinë e kinemasë shqiptare.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 ishte vlerësuar me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të.

Në total ai kishte shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.

Kiço Blushi ka qenë një ndër personalitet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual.

Më 20 shkurt të vitit 1991 ai ishte thirrur nga Presidenti Ramiz Alia që të merrte pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 1996 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste.

Ndërkohë, nga 1997 deri në vitin 2001 ai kishte qenë sërish deputet i PS, por për shkak të sistemit zgjedhor ishte në listat e PSD-së të drejtuar nga Skënder Gjinushi, si një nga partitë e vogla të koalicionit.

Më pas, Kiço Blushi ishte bërë kryeredaktor i gazetës së njohur “Koha Jonë” dhe kur i kishte dhënëfund kësaj eksperience, ai ishte bërë anëtar i bordit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Edhe pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, ai ka mbetur në politikën aktive.

Shkrimtari i shquar ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga viti 2007 deri në 2015, si përfaqësues i Partisë Socialiste.