"Shiritin e prejna vet"

“Shiritin e prejna vet”

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar pas një videoje e cila u shpërnda gjatë ditës së sotme ku shihet se është penguar që ta prejë shiritin e shkollës “Ismail Qemali”.

Për këtë akt, Bahtiri e ka fajësuar ‘grupin e militantëve të PDK-së’, pasi që sipas tij, kjo parti e ka ‘përjetuar rendë aderimin e tij’ nga AKR-ja në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Mirëpo, një grup i militantëve të PDK-së që është udhëhequr nga Hylmi Veseli, djali i vëllait të Kadri Veselit, kanë tentuar në mënyrë të dhunshme të më pengojnë në hapjen e shkollës, por që nuk ia kanë arritur. Veselët nuk mund të më ndalin dot, ashtu siç nuk kanë mundur asnjëherë”, ka shkruar Bahtiri.

Hylmi Veseli e ka publikuar videon në profilin e tij në Facebook me mbishkrimin “Shiritin e prejna vet”.

“Veprimet banditeskte të këtij grupi të vogël të udhëhequr nga nipi i Kadri Veselit, u kundërshtuan fuqishëm nga prindërit e fëmijëve, të cilët në vend se ditën e parë ta prisnin me gëzim, u traumatizuan nga këtë bandit”, ka shtuar tutje Bahtiri në rrjetin social ‘Facebook’.

Bahtiri në këtë postim ka bashkangjitur një video nga ngjarja e sotme në hapjen e shkollës “Ismail Qemali” në lagjen Bair.