Gashi tha se ky stadium do të jetë modern

Gashi tha se ky stadium do të jetë modern

Sot filloi vënia e gurthemelit në stadiumin e Zhurit, në Prizren.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi mori pjesë në vënien e gurthemelit të stadiumit të Zhurit, për të cilin tha se do të jetë modern dhe do t’i plotësojë nevojat e sportistëve.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook tha se për këtë projekt MKRS-ja do të investojë rreth 600 mijë euro.

“Zhuri me rrethinë do të bëhet me stadium të ri e modern që i plotëson nevojat e sportistëve zhurianë, një ëndërr e të rinjve dhe qytetarëve të kësaj treve, por edhe një premtim i yni që sot filloi të jetësohet. Ky projekt kapital vjen në kuadër të plotësimit të infrastrukturës sportive fizike në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë rreth 600 mijë euro. Ky projekt është i rëndësisë së veçantë për sportistët e Zhurit me rrethinë, duke pasur parasysh traditën e tyre në zhvillimin e sportit, por edhe sukseset e KF “Vëllazëria” në të kaluarën”, ka shkruar Gashi.

Për këtë stadium komuna e Prizrenit do t’i ndajë 200 mijë euro./21Media