Ejani t'i përjetojmë bashkë  kujtimet që më solli kjo eksperiencë!

Ejani t’i përjetojmë bashkë  kujtimet që më solli kjo eksperiencë!

Teksa po linim  një qytet modern e bregdetar, i cili rreth vetës kishte mbledhur shumë turistë ani pse po hynim në pjesën e dytë të shtatorit, destinacioni ynë ishte “udhëtimi nëpër kohë”, i ruajtur nga gjurmët që i kishin rezistuar mijëra vjetëve.

Ishim kureshtarë për të parë bukuritë antike të Butrintit, i cili gjendej në jug të Sarandës në kodrën e gadishullit Ksamil.

Po shkonim drejt stinës së vjeshtës,  por si duket dielli nuk e kishte ndërmend t’i zbuste rrezet e tij, ato po përcëllonin.  Përveç vapës së madhe halli tjetër i yni ishte gjetja e një vendi për ta parkuar makinën. Edhe pse ishte ditë e hënë fluksi i turistëve sikur nuk donte të ia dinte për punën.

U rregullua edhe kjo gjë me ndihmën e personelit të sigurimit, pastaj pritëm në rend për t’i marrë biletat çmimi i të cilave arrinte në 700 lekë.

Dendësia e lisave sikur e kishte sjellë pak freski tek ne, gjë që zgjonte edhe më shumë kureshtjen dhe energjinë për të eksploruar qytetin.

Pyetja e parë, nga të ia mbajmë?  Si përgjigje na u dha një tabelë e cila ishte vendosur menjëherë pas portës së madhe hyrëse në parkun e Butrintit. Harta tregonte me numra të gjitha pikat e qytetit, gjë që na lehtësoi punën.

Megjithatë lehtësira na krijonin edhe numri i madh i turistëve të cilët kishin pushtuar Butrintin e plot kureshtje shikonin në sytë e ciceronëve, të cilët flisnin ne gjuhën angleze për tu kuptuar me ta. Në tërë atë turmë si dukej ishim vetëm ne të dy turistë shqiptarë në atë momente. Të paktën këtë mund ta konstatonim nga gjuha.

Dëshira ime më e madhe ishte që ta shihnim një ndër monumentet më të mëdha në Butrint, teatrin, i cili atë kohë ishte i ndërtuar në shpatin e kodrës së Arkopolit me pamje nga Kanali i Vivarit.   Teksa skena e teatrit ishte i mbushur me njerëz, preferoja te ngjitesha shkallëve të cilat shpinin në rreshtin më të lartë të teatrit dhe nga atje imagjinoja se si mund të jetë dukur atë kohë një performancë e një shfaqjeje teatrale. Këtë imagjinatë timen e ndërpreu shoqëruesi im, i cili plot kureshtje mezi priste t’i shihte disa bukuri të shkrira në një:  natyrë,  histori e art.

Çdo qytetërim kishte lënë gjurmët e veta jo vetëm me art,  por edhe me mbishkrime. Pas qytetërimit të lashtë pagan, pas lindjes së Krishtit, Butrinti kishte pranuar krishterimin.

Kështu lash prapa shfaqjet teatrale të heleneizmit që kishte  thurur imagjinata ime për të ecur tutje deri tek pagëzimorja. Ishte koha për të parë bapisterin e dytë më të madh në Perandorinë Romake. Ndonëse këtu fillimisht pagëzoheshin paganët ky ishte vendi i fillimit të kristianizmit. Veçantia e tij ishte mozaiku në dysheme, por që ishte mbuluar me rërë për t’u ruajtur .

 

Gjurmët e pagëzimores që u kishin rezistuar mileniumeve dëshmonin madhështinë e saj. Si shenjë tjetër e Krishterizmit ishte edhe Bazilika e Madhe e ndërtuar në  shekullin e 5-të pas Krishtit.

Megjithatë teksa endeshim nëpër territorin e bukur të Butrintit endeshim edhe nëpër periudha të ndryshme kohore, sa iknim nga helenizmi ktheheshim prapë në të.

Kështu nuk pati si të na ikte Falltorja e dedikuar për hyjin e shëndetësisë Asklepin, falltore e ndërtuar në shekullin e 4 para Krishtit dhe që fillimisht i dha famën më të madhe Butrintit në antikitet. Aty besimtarët mblidheshin për tu shëruar nga sëmundjet.

Gjithë këto histori, gjurmë arkeologjike nuk do të kishin si të mos përmblidheshin në një muze i cili dëshmonte rezistencën e qytetit.

Enë, zbukurime, mbetje të dyshemeve ishin provat e ekzistencës së civilizimeve të ndryshme.

Ndërkohë nuk kishin si të mungonin as figurat e Preandorit August e bashkëshortes së tij Lidias.  Po t’i shikoje ato më shumë mahniteshe nga shkrirja e talentit që kishin bërë njerëzit e asaj kohe.

Teksa me kishin rrëmbyer gjithë ato histori dhe me kishin kthyer mijëra vjet me parë, ora kishte ecur aq shumë saqë ishim detyruar të iknim nga kemi ardhur, rrugët rreth bregetit të Sarandës po na prisnin që të ecnim siç ishim mësuar për ato pesë net rresht.  E atë mbrëmje duke medituar me zhurmën e valëve të bregdetit të Sarandës për përshtypjet që më kishte lënë qyteti antik, mendova se jo rastësisht çdo herë e më shumë rriten statistikat e të huajve të cilët tërhiqen nga Butrinti. Kjo ngase bukuria e tij është magnetike.

Duke ditur që kam lënë shumë detaje të pa cekura aq sa kam mundur të kap nga kjo magji e kam sjellë në këtë copë reportazhi./ 21Media