“Unë jam shpresë” – Shpresa e SOS Fshatrave të fëmijëve

SOS Fshatrat e Fëmijëve kanë nevojë për ndihmë

Njerëzit e këtij vendi e kanë gojën plot kur thonë se fëmijët janë e ardhmja. Por, a janë të sinqertë me vetveten njerëzit kur e thonë këtë gjë, a e mendojnë  praktikisht se fëmijët janë vërtetë e ardhmja dhe nëse janë e ardhmja fëmijët çfarë duhet bërë për ta?

Duhet siguruar shkollë të mirë, trajtim të mirë, duhet pasur shëndetësi të mirë për ta, duhet siguruar mbrojtje, veshmbathje, ushqim e shumë gjëra tjera elementare për jetesë.

Për të gjitha këto kujdesen prindërit, por çfarë për ata fëmijë që nuk kanë prindër. Për ta kujdesen shumë njerëz që mendojnë dhe angazhohen praktikisht për të qenë krah i këtyre fëmijë. Bëhet fjalë për SOS Fshatrat e Fëmijëve, shkruan rtv21.tv

Edhe SOS Fshatrat e Fëmijëve kanë nevojë për ndihmë, këtë po e kërkojnë edhe me fushatën e tyre “Unë jam shpresë”. Për të folur për këtë fushatë në emisionin Bon Bon në RTV21 ishin të ftuara drejtoresha nacionale e SOS Fshatrave të Fëmijëve, Nezahate Ramadani-Salihu dhe përgjegjësja për mbledhjen e fondeve, Albana Zogu – Morina.

Ramadani – Salihu ka treguar se donatori kryesor të SOS Fshatrave është SOS Kinderdorf International, pas janë pjesë e federatës së saj, mirëpo kërkojnë përkrahës të tjerë në mënyrë që të ndihmohen në krijimin e kushteve sa më të mira për fëmijët e strehuar në këto fshatra.

“Ne duhet të jemi shumë më shumë human se që themi se jemi, për arsye se ka shumë kategori të njerëzve të cilët kanë nevojë për përkrahje. Deri sa këta fëmijë pas një kohe kur mbërrijnë një moshë, ata duhet të pavarësohen, thjeshtë ne duhet të bashkohemi të gjithë, duke pas parasysh edhe ne si SOS Fshatra, institucionet tona, kompanitë tona dhe komuniteti në tërësi në mënyrë që të gjithë së bashku të krijojmë kushte që këta fëmijë të kenë një jetë shumë më të mirë”, tha Ramadani – Salihu.

Ajo thotë se kjo organizatë ka përkrahje shumë të vogël institucionale.

Nga ana tjetër, Zogu – Morina tregon se është goxha sfiduese që të mblidhen fondet e nevojshme që kjo organizatë i ka të nevojshme për t’i mbuluar shpenzimet.

“Është sfidë në vetvete duke pasur parasysh kushtet ekonomike në vend dhe njëkohësisht sikurse e përmendi drejtoresha edhe kulturën që ende kemi nevojë që të vetëdijesohemi që jo gjithmonë duhet të mendojmë vetëm për veten. Duhet të ndihmojmë edhe ata që me të vërtet kanë nevojë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, aktualisht në SOS Fshatra jetojnë 77 fëmijë dhe njëkohësisht 9 të rinj që përkrahen nga kjo organizatë.

“Ata kanë dal në gjysmë fazën e financimit por ne ende financiarisht e përkrahim një pjesë të kostos së tyre jetësore dhe poashtu mbi 650 fëmijë në tre vende në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë. Për gjithë këtë ne kemi nevojë që gjatë vitit në mënyrë që t’i mbulojmë nevojat bazike kemi nevojë të mbledhim diku rreth 132 mijë euro”, shtoi Zogu – Morina.

Ajo tregon se, 132 mijë euro janë vlerë që duhet të merret si vlerë monetare, ndërsa 72 mijë euro mund të merren në formë të donacionit në mallra dhe shërbime materiale./21Media

Back to top button