Vettel ende s'ka vendosur nëse do të rinovoj me Ferrarin

Vettel ende s’ka vendosur nëse do të rinovoj me Ferrarin

“Unë shpresoj që edhe Sebastian Vettel të rinovojë kontratën me Ferrarin, ashtu si unë”, ka qenë deklarata e lëshuar nga Kimi Raikkonen, pak ditë pasi vetë finlandezi firmosi shtyrjen e bashkëpunimit me “kokëkuqen” edhe për një vit.

Por kjo deklaratë ka mbetur për momentin e pa shoqëruar nga një “PO” e kolegut të tij, pasi Vettel ka konfirmuar sot se ende nuk ka vendosur për të ardhmen. “Unë nuk e di se kur do të vijë firma e rinovimit të kontratës. Besoj se pas dy javësh, në garën e Monzës, do të mësojmë diçka më shumë në lidhje me të ardhmen”, tha Vettel.

Piloti gjerman ndodhet në Belgjikë, aty ku të dielën zhvillohet gara e radhës së Botërorit të Formula 1.

Vettel ka bërë një parashikim se brenda dy javësh do të ketë marrë një vendim, që me shumë gjasa do të jetë shtyrja e kontratës edhe për dy vite. Ndoshta palët kanë rënë dakord që deklaratën e rinovimit ta bëjnë në garën e Italisë, para tifozëve të Ferrarit.

“Për momentin nuk ka asnjë lajm të ri dhe jemi përqendruar të gara, që është objektivi ynë i momentit. Më vjen mirë që skuadra e vlerëson punë time”, tha më tej Sebastian Vettel, që kryeson Botërorin me 14 pikë avantazh ndaj Hamilton.