Kërkojnë të rishqyrtohet vendimi i KSHC-së

Kërkojnë të rishqyrtohet vendimi i KSHC-së

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) për mos akreditimin e Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, për udhëheqësit e këtij institucioni është i pa pranueshëm.

“Do të kërkojmë që të rishqyrtohet vendimi i Këshilli Shtetëror të Cilësisë sa i përket Universitetit “Ukshin Hoti” pasi që konsiderojmë se i plotësojmë kushtet për akreditimi institucional, duke marr për bazë edhe rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e Universitetit të Prizrenit.

Sipas UPZ-së, studentët e këtij universiteti nuk duhet të shqetësohen. Po ashtu, në reagimin e tyre bëhet e ditur se UPZ-ja do të kërkojë të rishqyrtojë vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, sa i përket Universitetit “Ukshin Hoti”

“Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren po i përcjell me shqetësim lajmet që po qarkullojnë në media për mos akreditimin institucional për një vit.  Jemi në pritje të njoftimit zyrtar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për përmbajtjen e vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Pas marrjes së njoftimit zyrtar do të dalim me një qëndrim përkitazi me situatën e krijuar. Studentët e tanishëm të UPZ-së nuk duhet të shqetësohen. Një vendim i tillë është i papranueshëm. Universiteti do të veprojë në përputhje me dispozitat e akteve ligjore dhe nënligjore. Do të kërkojmë që të rishqyrtohet vendimi i Këshilli Shtetëror të Cilësisë sa i përket Universitetit “Ukshin Hoti” pasi që konsiderojmë se i plotësojmë kushtet për akreditimi institucional, duke marr për bazë edhe rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtar.”, thuhet në reagimin e UPZ-së.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), sot në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020. Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së vendosi që ta miratojë raportin e ekspertëve ndërkombëtar, në të cilin rekomandohet që Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, t’i tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020.

Për Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, përsëri me gjashtë vota pro u votua raporti i ekspertëve, në të cilin gjithashtu rekomandohet që të tërhiqet akreditimi institucional për këtë vit akademik.

Edhe për Universitetin e Prizrenit me gjashtë vota pro, bordi i KShC-së votoi raportin negativ të ekspertëve, në të cilin është rekomanduar që t’i tërhiqet akreditimi institucional.