Serri ka lavdëruar punën që ka bërë AKA

Serri ka lavdëruar punën që ka bërë AKA

Derisa Agjencia e Kosovës për Akreditim vazhdon të jetë optimiste se do të pranohet në ENQA, zyrtarët evropianë i konsiderojnë të nevojshme ndryshimet në sistemin arsimor.

Kështu u tha sot në tryezën për diskutim të Raportit të Vetëvlerësimit të AKA-së, për vlerësim nga ENQA të organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).

Zëvendësshefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Riccardo Serri ka lavdëruar punën që ka bërë AKA për ngritjen e kritereve për akreditim.

AKA-në duke e konsideruar si një organ që BE e mbështet me mjaftë prioritet, Serri tha se sfidë për arsimin në Kosovë vazhdon të mbetet nevoja urgjente për reforma në sistemin arsimor.

Në këtë drejtim, ai tha se Bashkimi Evropian në muajt e ardhshëm do të mbështesë arsimin në Kosovë me një shumë prej 12 deri 15 milionë euro.

Sipas tij, ashtu sikurse në të gjitha vendet tjera edhe në Kosovë është e rëndësishme të sigurohet arsim cilësor.

“Në botë është duke u punuar teknologjia dhe është gjithçka e rëndësishme që të shkojmë në hap me to që të ofrojmë arsim cilësor për të rinjtë dhe kjo është diçka që ne duhet ta themi në çdo vend, jo vetëm këtu, edhe Kosova pra mund të ketë nevoja specifike dhe në fakt ka nevoja specifike dhe është çështje që me të gjitha shtetet anëtare dhe e kemi këtë si sfidë. Një sfidë tjetër me të cilin ne jemi duke u përballur dhe së bashku me ministrinë është mbështetja të cilën e kemi ofruar siç e dimë shumë të përfshirë pra në infrastrukturën dhe kjo është pjesë e pamjes së përgjithshme. Nga ana jonë, sigurisht që e ndjejmë urgjencën e lëvizjes përpara dhe të bëjmë ndryshime dhe të reformojmë sistemin”, ka thënë ai.

Kryetari i Këshillit Shtetëror për Cilësi i Agjencisë Kosovare të Akredimit, Gazmend Luboteni se raporti i vetëvlerësimit u është shpërndarë të gjitha institucioneve arsimore në vend private dhe publike, para se të dorëzohet në ENQA dhe EQAR.

Ai u shpreh optimist për anëtarësimin e Kosovës në ENQA, duke shtuar se anëtarësimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim në ENQA dhe EQAR tregon rritjen e cilësisë së arsimit në vendin tonë.

“Kemi hyrë procesit të rivlerësimit të ENQA-së për shkak se në fakt është dashur që ky rivlerësim të bëhet vitin e ardhshëm, mirëpo për shkak të ndodhive që kanë qenë prezente në vitin 2017 është bërë vlerësimi më herët sesa aktualisht ishte dashur. Dhe në qoftë se do të kemi vlerësim e ne presim që vlerësimi të jetë pozitiv nga ENQA, dhe ne sigurisht do të vazhdojmë anëtarësimin në ENQA dhe pastaj sigurisht do të pranohemi edhe në EQAR. Këto dy anëtarësi në këto dy institucione ndërkombëtare janë jashtëzakonisht të rëndësishme, për shkak se këto tregojnë se Agjencioni i Akreditimit të Kosovës është në përputhje me standardet evropiane për sigurimin e cilësisë”, ka thënë Luboteni.

Ndërsa, Avni Gashi, ushtrues detyre i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, u shpreh se raporti i vetëvlerësimit të AKA-së është publikuar në ueb-faqen e tyre zyrtare dhe se tani raporti është në fazën e diskutimit publik për të marrë informata shtesë.

Përmes këtij raporti sipas tij vlerësohet Agjencia e Akreditimit nga ENQA muajt e ardhshëm.

“Agjencia e Kosovës për Akreditim në vazhdimësi është duke bërë përpjekje në përputhje me standardet dhe politikat evropiane dhe ndërkombëtare duke përfshirë sa më shumë akterët relevantë në të gjitha proceset e saj. Ky është një proces, i cili duhet t’i involvojë të gjitha palët e interesit në krijimin e raportit të vetë vlerësimit. Për hartimin e këtij raporti janë respektuar udhëzuesit e ENQA-së për vlerësimin e jashtëm dhe standardet e udhëzuesit evropian për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, për më tepër janë botuar edhe disa modele të raporteve të vetë vlerësimit të disa shteteve të cilat kanë qenë pjesë e vlerësimit nga ENQA”, tha ai.

Ndryshe, disa nga pikat që përfshin Raporti i Vetëvlerësimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim janë zhvillimi dhe hartimit i RVV-së, historiku dhe profilet, arsimi i lartë dhe aktivitetet për sigurim të cilësisë, metodologjitë etj.